Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Conell, thotë se gjatë dy javëve të fundit ka pasur një sërë takimesh zyrtare dhe private, lidhur me sundimin e ligjit në Kosovë.
Përmes një njoftimi në Facebook, ai thotë se ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha po bën përpjekje të mëdha në lidhje me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.
“Gjatë dy javëve të fundit, unë kam pasur një sërë takimesh zyrtare dhe private, lidhur me sundimin e ligjit në Kosovë. Një reformë dhe përmirësim urgjent janë të domosdoshme. Përpjekjet e Ministres së Drejtësisë lidhur me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale janë një reformë e rëndësishme dhe do të ishte një hap përpara; politikanët nuk do të mund të vendosnin më vetë, për të liruar kriminelët e dënuar. Por, unë jam thellësisht i shqetësuar nga amendamenti i cili mometalisht është duke u shqyrtuar në Kuvend për të reduktuar dënimet për krime me një të tretën. Kjo duket si një përpjekje nga ana e disa deputetëve për të liruar të burgosurit e fuqishëm politikisht si dhe shumë kriminelë tjerë të rëndë. Kjo do të dëmtonte thellë sundimin e ligjit në Kosovë”, shkruan ambasadori i Britanisë.