Oda Amerikan në Kosovë ka vlerësuar që lufta kundër korrupsionit duhet të zërë një vend të rëndësishëm në agjendën e punës së Qeverisë së Kosovës.
Në një komunikatë për media është thënë që fuqizimi i përpjekjeve për luftimin e korrupsionit do të ishte dëshmi e rëndësishme e përkushtimit të institucioneve të vendit për përmirësimin e mjedisit për të bërë biznes edhe në terma praktikë, dhe një mundësi për përmirësimin e imazhit të vendit para investitorëve seriozë të huaj.
Një gjyqësor efikas, i pavarur por llogaridhënës është jetik në çrrënjosjen e korrupsionit dhe shmangien e rrezikut të investimeve, e rrjedhimisht do të dërgonte një sinjal tejet të rëndësishëm tek investitorët e huaj potencial, thuhet në komunikatë.
Oda Amerikane kërkon transparencë më të madhe edhe në aktivitetet e prokurimit publik, si dhe zbatim të efektshëm të të gjithë mekanizmave të tjerë ligjorë për raportimin e korrupsionit, që do të ndikonte në rritjen e besimit të bizneseve dhe qytetarëve lidhur me raportimin e korrupsionit.
Një mjedis i tillë është veprimi më i mirë i mundshëm që institucionet mund të ndërmarrin për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, vende të reja të punës, liri të lëvizjes dhe siguri më të madhe, shkruan OAK.