Oda Amerikane dhe MSh bisedojnë për problemet në shëndetësi

Prishtinë | 16 Sht 2016 | 15:07 | Nga

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, priti sot në takim ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmani, dhe zyrtarë të kësaj ministrie për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet sektorit privat dhe Ministrisë së Shëndetësisë si dhe për të diskutuar mbi çështje me të cilat ballafaqohet ky sektor.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se ky takim është i rëndësishëm, mes tjerash, për të thelluar bashkëpunimin dhe për të rritur dialogun me Ministrinë e Shëndetësisë ashtu sikurse me ministritë tjera, në funksion të zgjidhjes së çështjeve të interesit të dyanshëm.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, vlerësoi se sektori i shëndetësisë vazhdon të ballafaqohet me sfida të shumta, por që kjo ministri është duke punuar drejt përmirësimit të tyre. Progres i dukshëm sipas Rrahmanit është shënuar në aspekt të përgatitjeve për implementim e Ligjit për Sigurime Shëndetësore, përkatësisht mbledhjes së premiumeve (kontributeve) që do të nisë nga 1 janari 2017, fuqizimit të shtrirjes së Sistemit të Informimit Shëndetësor, hapjes së shërbimeve të reja si dhe përmirësimit në furnizimin me barna dhe material shpenzues nga Lista esenciale.

Anëtarët e Komitetit të Kujdesit Shëndetësor të Odës Amerikane theksuan çështjen e listës së produkteve esenciale, taksat doganore në lëndën e parë, mungesën e përgjegjësisë në zgjidhjen e çështjeve nga ana e institucioneve relevante si dhe mungesën e komunikimit ndërmjet sektorit publik dhe privat si çështjet kryesore në vëmendje të këtij komiteti.

Ministri Rrahmani theksoi se Ministria e Shëndetësisë do të punojë në drejtim të shtrirjes së bashkëpunimit dhe mbështetjes së sektorit privat, në funksion të harmonizimit të raporteve dhe ofrimit të një mekanizmi të komunikimit ndërmjet sektorit privat dhe atij publik.

Rrahmani u shpreh se do të mirëpres komentet e anëtarëve të Komitetit të Kujdesit Shëndetësor të Odës Amerikane në lidhje me pjesë të ndryshme të legjislacionit dhe përmirësimit të mëtejmë të sektorit shëndetësor.

Të ngjashme