Oda e Farmacistëve të Kosovës ka bërë promovimin e “Revistës Farmaceutike”. Kryetar i Odës së Farmacistëve Arianit Jakupi tha se kjo revistë i kushtohet Covid-19 dhe sfidave me të cilat janë ballafaquar farmacistët, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se revista do të shërbejë për dhënien e informatave, duke e parë që bota po ballafaqohet me variante të reja të Covid-19.
“Revista vjen pas shumë diskutimeve dhe përpjekjeve shumë vjeçare të farmacistëve. Revista është aprovuar me vendim të Kuvendit të Odës së Farmacistëve të Kosovës. Këshilli redaktues më tej ka marr vendimet për përcaktimin e konceptit, debat informacion dhe hulumtime shkencore”.
“U vendos që ky numër i parë t’i kushtohet Covid-19 dhe sfida të farmacistëve. Frekuenca e botimit do të jetë dy herë në vit. Kemi tentuar që kjo të shërbej për dhënien e informatave, posaçërisht në këtë kohë ku shohim variante të reja”.
Profesori, Lul Raka ka uruar që revista të ketë qëndrueshmëri, derisa theksoi se pandemia ka qenë mësuesi më i mirë që ka gjëra më të vlefshme.
“Uroj që të ketë qëndrueshmëri kjo revistë dhe të bashkëpunojmë më shumë. Vështirësitë janë të shumta dhe besoj që me një dashuri më të madhe, sepse Covid-19 ka qenë mësues i joni sepse na ka mësuar se janë disa gjëra më të vlefshme se dinamizmi i punës, dashuria për vendin me dhënë më shumë”.
Profesor, Kreshnik Hoti e ka quajtur arritje të madhe publikimin e kësaj reviste.
“Është arritje e madhe për farmacistët si dhe për sistemin shëndetësor publikimi i kësaj reviste, pasi që kjo e përmbyll zbrazëtirën që ka qenë gjatë këtyre viteve”.
Farmacisti Amir Agani, tha se ideal i farmacistëve ka qenë publikimi i kësaj reviste, raporton EO.
“… ideal ka qenë që me ardh deri te një revistë e tillë, sa i takon numri të farmacistëve që kemi jemi afër numrit të Ballkanit”.
Oda e Farmacistëve me një minutë heshtje ka nderuar të gjithë profesionistët shëndetësorë që kanë vdekur nga Covid-19.