Pas katër ditësh maratonë të mbajtjes së Garës së Kuzhinierëve sonte, në “Holiday Resort” në Sllatinë është mbajtur ceremonia festive e ndarjes së çmimeve për fituesit e garës.
Oda e Hotelerisë dhe Turizmit e Kosovës (OHTK) për të shpërblyer mundin dhe prezantimin profesional të secilit kuzhinier pjesëmarrës në Garën e Kuzhinierëve ka organizuar gala mbrëmjen, duke shënuar kështu mbylljen zyrtare të Garës së Kuzhinierëve.
Këta janë fituesit e Garës së Kuzhinierëve, të mbajtur nga OHTK:
Në këtë gala mbrëmje merrnin pjesë përfaqësues nga institucionet, përfaqësues nga komunat, organizatat dhe shoqatat simotra të OHTK-së si dhe të gjithë kuzhinierët pjesëmarrës të Garës së Kuzhinierëve.
Kryetari i OHTK-së, Hysen Sogojeva, tha se e veçanta e kësaj mbrëmjeje është se ka mysafirë edhe nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Sogojeva tha se në fillim ishte pak skeptik se mund të organizohej një event dhe garë kaq e madhe, por kjo u arrit me kontributin e të gjithë OHTK-së, jurisë profesionale dhe partnerëve. “U arrit nga një juri shumë dinjitoze, në krye me Faruk Nezirin. Ti je i Kosovës dhe i gjithë veprimtarisë së kuzhinierëve”, tha Sogojeva.
Kryetari i OHTK-së paralajmëroi se projekte të këtilla, madje edhe më të mira, do të ketë edhe në të ardhmen.
Kryetari i Jurisë Profesionale, Faruk Neziri, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit. “Të gjithë jeni fitues, sepse ky projekt është një mision për gjenerata e reja”, tha ai.
”Gara e Kuzhinierëve” u organizua për herë të parë në Kosovë dhe morën pjesë më shumë se 50 kuzhinierë.
Po ashtu, janë ndarë certifikata për pjesëmarrësit në garë si dhe mirënjohje për kompanitë që e mundësuan këtë organizim, i cili mëton të jetë tradicional.