Nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit (OHT) thanë se kanë pasur një takim konstruktiv me Ministrinë e Shëndetësisë, dhe besojnë se javën e ardhshme do të marrin përgjigje pozitive për hapjen e sallave të dasmave, raporton Ekonomia Online.
Pas përfundimit të takimit, kryetari i kësaj Ode, Hysen Sogojeva, tha për Ekonomia Online se dëmet janë të mëdha dhe për këtë duhet të intervenohet nga institucionet.
“Dëmet janë të mëdha dhe të pa parashikueshme nëse llogarisim 60-70% ka qenë i dëmtuar dhe nëse vazhdohet janë në prag të falimentimit”.
Ndërsa, Afrim Muçiqi, përfaqësues i këngëtarëve në Odën e Hoteleries, tha se janë dakorduar që ditëve të ardhshme ta mbajnë një takim tjetër.
“Është njëri prej takimeve më konstruktive që Oda ka pasur me ministrin u dakorduam që ditëve të ardhshme ta kemi një takim tjetër dhe jemi në rrugë të mirë dhe shpresojmë. Kemi biseduar për të gjitha pikat që janë me rëndësi për hirë të korrektësisë vendosëm që pas takimet të radhës që do të mbahet javën e ardhshme të dalim me një vendim të përbashkët”.
“Nuk duam me mendua sepse prej fillimit kemi parë vetëm zi dhe jemi të sigurt qe javën e ardhshme do ta kemi një përgjigje pozitive. Keni të drejtë në pyetjen tuaj mirëpo tash është bërë një grup që po prej çdo pikë dhe të gjejmë mënyrën më të mirë”, tha Muçiqi, për Ekonomia Online.
Po ashtu më vonë OHT ka dal me një komunikatë për medie për të njoftuar opinionin se çka u diskutua aty.
Njoftimi i plotë:
Kryetari i OHT Prof. Dr. Hysen Sogojeva, drejtori ekzekutiv z. Visar Demolli, drejtori i estradës z. Afrim Muqiqi, drejtori i sallave të dasmave z. Driton Hoti dhe anëtari i kryesisë z. Hamdi Bytyqi sot kanë mbajtur takim me ministrin e Shëndetësisë z. Arben Vitia.
Qëllimi i takimit ishte bisedë rreth rishikimit të kërkesave të OHT ndaj masave antiCovid, duke i përfshirë kërkesat e të gjitha sektoreve që i përfaqëson OHT (salla të dasmave, pishina, estradë, dekore, dhe të gjitha sektoret tjera), me ç’rast u kërkua që sa më parë të dilet me një vendim të ri, dhe lehtësim të masave për këto sektore!
Takimi shkoi shumë mirë, dhe biseda ishte në favor të përfaqësuesve tanë, mirëpo na mbetet të presim deri në takimin e radhës me Ministrin e Shëndetësisë z. Vitia, i cili pritet të ndodh me 26 Maj 2021.
Përfaqësuesit tanë dolën nga takimi me shumë besim dhe shumë shpresë që muaji Qershor do të na vijë me të gjitha kërkesat tona të aprovuara, në mënyrë që sa më parë të fillojë sezona edhe për ne!
OHT do t’iu mbajë të informuar për çdo gjë!