Oda e Hotelierisë dhe Turizmit ka kërkuar që teleferiku në qendrën e skijimit në Brezovicë të vihet në funksion, si dhe të lejohen turistët e pavaksinuar me dy dozat kundër Covid-19 të hyjnë në pikën kufitare ‘’Jazhicë Glloboqicë’.
“Teleferiku akoma nuk është lëshuar, edhe pse është dashur të lëshohet që nga data 25 dhjetor 2021, ndërkohë që teleferiku në Brezovicë është një ndër atraksionet më të vizituara, sidomos tani me ardhjen e mërgimtarëve në Kosovë, dhe kjo që po ndodh është një humbje e madhe nëse nuk parandalohet menjëherë”, thuhet në komunikatë.
“Gjithashtu, një tjetër ankesë apo pakënaqësi e cila është prezente tash e disa ditë është se në pikën kufitare ‘’Jazhicë Glloboqicë’’ nuk po lejohen të hyjnë vizitorët nëse nuk e kanë dëshminë e dy vaksinave, pra nuk po vlen as testi negativ PCR apo dëshmia se personi ka kaluar COVID-19”.
Oda ka kërkuar që sa më parë të ketë ndërhyrje në këto dy problematika, që sipas tyre, po shkaktojnë humbje të madhe tek bizneset.