Oda e Mjekëve nderon me mirënjohje përkujtimore mjekët që u ndanë nga jeta

Prishtinë | 09 Mar 2021 | 10:23 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Oda e Mjekëve ka bërë ndarjen e mirënjohjeve përkujtimore për mjekët që janë ndarë nga jeta gjatë vitit 2020 dhe  institucionet shëndetësore mbështetëse të rajonit të Prishtinës, për kontributin e dhënë në luftën kundër pandemisë, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, tha se e kanë detyrim që të kujtojnë kontributin e kolegëve që humbën jetën sidomos atyre gjatë pandemisë.

“Ndoshta nuk është çdo herë në tubimet tona për të përkujtuar vetëm sukseset avancimet e kolegëve tanë, por ja që jeta ka edhe medaljen tjetër ku ne humbim kolegët tanë, pjesë të ekipeve tona që janë pjesë e kujtimeve tona”.

“Viti i kaluar ka qenë i rëndë në veçanti për komunitetin tonë të mjekëve që përveç humbjeve të shumta që kemi në radhët tona si pjesë e jetës së zakonshme që edhe jeta e vdekja janë pjesë e saj na është shtuar edhe mortja e madhe që po ndodhë anë e mbanë botës”.

“Kemi për detyrim që si Odë e Mjekëve të kujtojë ata të cilët ishin pjesë e jona e punës sonë për tu shërbyer popullatës. Bazuar në rregulloren për dekorata e medalje të Odës komisioni gjegjës ka marrë vendim që kolegët tanë që ndërruan jetë gjatë vitit 2020 të nderohen me medaljen ‘Nderi i mjekut’”.

Drejtori i ShSKUK-së Valbon Krasniqi, tha se nuk ka ndarje më të mirë nga jeta se sa kur momentet e fundit njeriu i kalon duke i shërbyer të tjetër, raporton EO.

AI ka konsideruar sfidë përballjen me pandeminë, por që tha se me punë e palodhshme të mjekëve do të menaxhohet kjo situatë.

“Jeta na ka mësuar që të jemi bashkë në momente festive e të vështira. Ne si popull e si sistem po kalojmë një fazë të vështirë e jashtëzakonisht sfidues për zyrtarët shëndetësor për të qëndruar në front përballë kësaj të keqe që na ka goditur”.

“Sot ju them që ju duhet të jeni krenar me familjarët e huaj që i patet me punën dhe veprën që kanë bërë. Nuk ka ndarje më të mirë nga jeta se sa kur momentet e fundit njeriu i kalon duke i shërbyer të tjetër. Po rezervohem të përmend emra, por disa i kam njohur për së afërmi, më kujtohet fjalët e fundit të doktor Sami Gjokës. Jetoni me veprat dhe kujtimet e mira që i keni dhënë sistemit shëndetësor me familjarët tuaj. E di që shumica nga ata që nuk janë në mesin tonë janë bërë me kilometra për tu shkolluar”.

“Ne po kritikohemi nganjëherë por unë them me bindje se punëtorët shëndetësor e kanë dhënë provim vet, por edhe kanë sakrifikuar familjet e tyre. Ju bëjë thirrje të lartësoni punën që kanë bërë ata që sot nuk janë në mesin tonë. Ky solidaritet duhet të vazhdojë nga Oda. Të mbahet gjallë kjo frymë”.

Familja e doktor Abaz Krasniqi, Adem Limani, Bedri Sadriut, Bedri Zahiti e Gjon Gjidoda ishin disa nga ata që morën dekorata.

Të ngjashme