Oda e Mjekëve reagon ndaj dënimeve alternative për sulmuesit e mjekëve

Prishtinë | 13 Jan 2019 | 15:52 | Nga Ekonomia Online

Oda e Mjekëve të Kosovës ka reaguar në lidhje ndaj dënimeve alternative për sulmuesit e mjekëve.

Sipas kësaj Ode, Gjykata Themelore në Pejë ka nxjerrë aktgjykimin me të cilin ka shqiptuar dënimin me kusht ndaj të pandehurit për shkak të rrahjes së mjekut në vendin e punës, për vendim të cilin sipas tyre, është dëshmuar jo seriozitet.

Ky është reagimi i plotë:

Nga mjetet e informimit u njoftuam se Gjykata Themelore në Pejë ka nxjerrë aktgjykimin me të cilin ka shqiptuar dënimin me kusht ndaj të pandehurit për shkak të rrahjes së mjekut në vendin e punës. Praktika gjyqësore edhe njëherë është duke dëshmuar joseriozitet lidhur me luftimin e formave të rënda të kriminalitetit, përfshirë këtu edhe ndëshkimin e veprave të dhunës fizike ndaj mjekëve në vendin e punës.

Qëllimi i sanksionit penal nuk do të duhej të ishte mjet vetëm për vetëpërmbushje të sistemit gjyqësor. Ai ekziston për të garantuar sigurinë faktike dhe juridike në vend. Sulmet të tilla ndaj personave zyrtar, për të gjitha veprat penale parashihet si formë e rëndë e veprave penale. Andaj shqiptimi shabllonik i dënimeve të tilla, të ashtuquajturave alternative, është duke inkurajuar dhe duke stimuluar sulmuesit dhe delikuencën ndaj mjekëve specifikisht në vendet e tyre të punës.

Oda e Mjekëve të Kosovës shprehë indinjatën e thellë për joefikasitetin e sistemit gjyqësor dhe të ndjekjes penale, që të krijojë praktikë të tillë me të cilën do të bënin të qartë për secilin qytetar se sulmet fizike ndaj personave zyrtar, përfshirë këtu edhe mjekët, janë veprime kriminale për të cilat shqiptohen sanksionet më të rënda të mundshme të parapara me ligjin penal për secilën vepër veç e veç. Veprimet kriminale që përbëjnë sulm fizik ndaj mjekut në vendin e punës duhet kualifikuar si vepër penale e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, respektivisht veprës së Sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare sipas Nenit 410, e që parashihet dënimi deri në 10 vite burgim efektiv për formën më të rëndë kualifikuese për këtë veprë penale.

OMK-ja do të angazhohet maksimalisht për të sensibilizuar opinionin dhe institucionet publike të Republikës së Kosovës, për nevojën e trajtimit serioz lidhur me sigurinë e mjekëve në vendin e tyre të punës dhe mbrojtjes së dinjitetit profesional të mjekut në shoqëri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme