Oda e Mjekëve reagon ndaj ShSKUK-së për rastin e logopedit: Nuk kemi asnjë përgjegjësi në këtë rast

Prishtinë | 28 Nën 2022 | 16:31 | Nga Ekonomia Online

Përmes reagimit, Oda thotë thotë se ShSKUK-ja po ua hedh fajin atyre.

“Oda e Mjekëve të Kosovës kundërshton fuqishëm tentimin e menaxhmentit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për t’u shfajësuar dhe për ta shmangur përgjegjësinë në barrë të odave të profesionistëve shëndetësorë, e aq më shumë kur Oda e Mjekëve apostrofohet dhe stigmatizohet pa e pasur asnjë kompetencë mbikëqyrëse ndaj profesionistit shëndetësor i cili është strukturë menaxheriale në Klinikën e Otorinolaringologjisë (ORL)”, thuhet në reagimin e OMK-së.

Sipas Odës së Mjekëve, ata nuk kanë asnjë përgjegjësi në këtë rast sa i përket mbikëqyrjes për kualifikimet profesionale.

“Oda e Mjekëve nuk e ka asnjë përgjegjësi sa i përket detyrimit të mbikëqyrjes për plotësimin e kualifikimeve profesionale të personelit menaxherial për t’i njoftuar institucionet shëndetësore se personelit të tyre, aq me tepër për struktura menaxheriale, u janë skaduar dokumentet e kualifikimit profesional siç është validiteti i licencës”, thuhet në reagim.

Po ashtu, në reagim thuhet se Oda e Mjekëve dhe tjera shëndetësore mirëmbajnë regjistrat e licencave të profesionistëve shëndetësorë sipas kualifikimeve dhe zbatojnë procedurat administrative për konstatimin e përmbushjeve të kushteve profesionale.

“Në reagimin e orëve të vona të mbrëmjes se ditës së djeshme, SHSKUK-ja pa asnjë bazë ligjore dhe faktike, ka tentuar të përfshijë Odën e Mjekëve në një skandal të një zyrtari menaxherial të cilin ditë më parë e kishin emëruar organet e kësaj të fundit. I apostrofuari për të cilin dyshohet se ka keqtrajtuar pacienten fëmijë, me përgatitje profesionale është logoped dhe nuk ka thirrje të doktorit të mjekësisë për të qenë i trajtueshëm në çfarëdo pikëpamje nga ana e organeve të Odës së Mjekëve”, thuhet në reagim.

Të ngjashme