Oda e Mjekëve shpall zgjedhjet më 1 dhjetor, pret mbështetje nga MSh-ja

Prishtinë | 31 Tet 2017 | 15:09 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Odës së Mjekëve të Kosovës (OMK) shpalli sot datën e zgjedhjeve për Kuvendin e kësaj ode.

Zgjedhjet do të mbahen më 1 dhjetor. Me këtë rast, drejtues të kësaj organizate që tubon profesionistët shëndetësorë, thanë se presin mbështetje, edhe financiare, nga Ministria e Shëndetësisë, sikur e parasheh ligji.

Zylfije Hundozi, kryetare e Odës së Mjekëve, tha se deri më tani kanë funksionuar në baza vullnetare dhe e pranoi se nuk kanë arritur të funksionojnë ashtu siç do të duhej.

Por, ajo theksoi se tashmë ka hyrë në fuqi ligji që e rregullon funksionimin dhe kompetencat e Odës. “Përpjekja për organizim shoqëror paraqet sfidë të veçantë, që kërkon punë dhe angazhim… Organizata jonë nuk ka arritur të funksionojë ashtu siç e përcakton ligji”.

“Uroj që kjo organizatë t’i përmbushë këto karakteristika që i ka përkrahur dhe nga akti ligjor nga Kuvendi i Kosovës. Uroj që mos të mungojë mbështetja institucionale, sidomos nga Ministria e Shëndetësisë”.

Ajo tha se presin përkrahje nga ministri i ri i Shëndetësisë, Uran Ismajli. “Nuk kemi pasur përkrahje nga ministrat e kaluar që ta vënë ne funksion dhe mbështesin Odën e Mjekëve. Besoj që ministri Ismaili të ndihmojë që sa kjo odë të fillojë të funksionojë ma shpejt”.

Shaban Osmanaj, kryetar i KQZ së Odës së Mjekëve, shpalli zyrtarisht ditën e zgjedhjeve më 1 dhjetor 2017.

“Jemi këtu të kumtojmë organizimin e parë të mëvetësishëm të zgjedhjeve që prej themelimit të Odës. Presim mbështetje nga Ministria e Shëndetësisë për të ndihmuar në organizimin e mëtejshëm të organizatës”, tha Osmanaj.

Ai i inkurajoi të gjithë profesionistët shëndetësorë, në veçanti mjekët, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre që të bëhen pjesë organizative e Odës.

Drejtuesit e Odës theksuan se organizimi i mjekëve në një organizatë unike, siç është OMK, e themeluar në bazë të Ligjit Nr. 04/L-150 për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, është postulati kryesor i mbrojtjes, promovimit dhe mirëmbajtjes së etikës dhe deontologjisë mjekësore.

“Mjekët si bosht themelor i strukturës profesionale të sistemit shëndetësor kanë për obligim ligjor, etik dhe shoqëror që të organizohen në një organizatë profesionale në mënyrë që të mbrojnë integritetin e tyre profesional”.

Në këtë takim merrte pjesë dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Granit Abdullahu, i cili premtoi mbështetjen e ministrisë.

Ai tha se deri më tani, të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat që kanë rrjedhur nga nevojat e mjekëve i ka kryer Ministria e Shëndetësisë. Pas funksionalizimit të Kuvendit të Odës së Mjekëve, sipas zv.ministrit Abdullahu, MSh-ja do të ketë rol politikëbërës dhe rregullator, ndërsa Kuvendi “do të merret me të gjitha punët e tjera”.

Të ngjashme