Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon të rishqyrtohet liberalizimi i tregut të energjisë elektrike

Prishtinë | 24 Mar 2025 | 12:40 | Nga Ekonomia Online

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkoi të rishqyrtohet liberalizimi i tregut të energjisë elektrike, i planifikuar për vitin 2025, duke shprehur qëndrimin se mbështet plotësisht tregun e hapur dhe konkurrues të energjisë, por thekson se kushtet aktuale tregojnë se Kosova ende nuk është e përgatitur për këtë tranzicion.

“Bizneset janë thellësisht të shqetësuara për rritjen e kostove të energjisë, me 80% të kompanive të anketuara që presin rritje të konsiderueshme të kostove që do të ndikojnë drejtpërdrejt në konkurrencën e tyre. Ndryshe nga homologët rajonalë, Kosova nuk ka siguruar konkurrencë të mjaftueshme me furnizuesit përpara se të zbatojë liberalizimin e tregut, duke i lënë bizneset me opsione të kufizuara dhe pasiguri të shtuar. Për më tepër, afati i shkurtër kohor i zbatimit – i paraprirë nga fushata të paqarta informacioni – nuk i lejon bizneset të përgatiten në mënyrë adekuate. Për qëllime buxhetore, hyrja në një rritje të kostos në mes të vitit shtrembëron planifikimin dhe menaxhimin financiar, gjë që mund të destabilizojë vazhdimësinë operacionale”, thuhet në reagimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Oda Amerikane rekomandoi që Qeveria të miratojë legjislacionin e nevojshëm dytësor për të zhbllokuar investimet në sistemet e ruajtjes së baterive – kritike për fleksibilitetin e rrjetit dhe menaxhimin efikas të energjisë.

“Liberalizimi i tregut energjetik të Kosovës në kushtet aktuale do të dëmtojë bizneset, do të ulë konkurrencën dhe do të dekurajojë investimet.  Oda Amerikane u bën thirrje politikbërësve të miratojnë një qasje strategjike, me faza që i jep përparësi konkurrencës së tregut, stabilitetit të çmimeve dhe gatishmërisë së biznesit për të siguruar një tranzicion të suksesshëm”, thuhet në reagimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Të ngjashme