Pas takimit të përfaqësuesve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe përfaqësuesve të ELKOS në Odën Ekonomike të Kosovës, i pari i këtij institucioni ka thënë se gjatë këtij takimi Oda ka shërbyer si platformë e bisedës së hapur për të mbrojtur një anëtarë të rëndësishëm të sektorit privat në vend.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se janë harmonizuar hapat të cilët mund të rikthejnë këtë problem në tavolinë.
“Oda ka shërbyer sot si platformë e negocimit, si platformë e bisedës së hapur për me mund me trajtu një problem të një anëtari të rëndësishëm të Odës Ekonomike dhe normalisht një anëtari të rëndësishëm të sektorit privat në Kosovë”.
“Mbi këtë bazë, ne i kemi ftuar palët e interesit. Normalisht Oda e ka rolin përfaqësues në raport me anëtarësinë, por normalisht në raport edhe me institucionet që kanë një rol qoftë në vendimmarrje qoftë me veprime të caktuara që munden me ndiku tek anëtarët e Odës Ekonomike të Kosovës. Mbi këtë bazë jemi taku sot, kemi biseduar dhe kemi harmonizuar disa hapa të cilët edhe mund ta kthejnë problemin në tavolinë në kuptim të asaj që të analizohen argumentet të rishqyrtohet vendimi dhe të mos ketë nevojë të kaloj në gjykata apo të kalojë në procese që mund të jenë të dëmshme për ekonominë e vendit”
Ai tha se vendimi nuk është i kryetarit të kaluar, por qëndrim i Odës dhe si e tillë do të mbrojë kompanitë që të trajtohen të barabarta.
“Ky nuk është qëndrim i kryetarit, është qëndrim i Odës Ekonomike. Ne po flasim për një rast që nuk është i vogël, nuk është rast i izoluar i cili ka ndikime direkte apo indirekte qoftë për performancën e kësaj qeverie ose për shumë aspekte që janë të ndërlidhura me procesin e privatizimit. Ne duhet me qenë të kujdesshëm në këtë aspekt dhe mi shqyrtu argumentet. Ne kërkojmë që çdo komani në Kosovë të trajtohet e barabartë”
Fatos Islami, menaxher gjeneral në ELKOS, tha se presin që rasti të shqyrtohet edhe njëherë.
Ne i shpalosëm faktet dhe kërkuam që të rishqyrtohet edhe njëherë vendimi i bordit të AKP-së për hir të një të vërtetë të cilën ne po pretendojmë që e kemi. Unë shpresoj që ata do e marrin një vendim shumë shpejt për ta rishqyrtuar edhe një herë rastin. Zyrtarët që kanë qenë sot thanë se do ta përcjellin rastin tek bordi një kërkesë tonën. Besoj që pas këtij takimi do të jemi të dëgjuar nga bordi i AKP-së”
Ky takim është mbajtur pas dënimit prej 1.3 milion euro që ka shqiptuar AKP-ja ndaj kësaj kompanie, me arsyen që kjo e fundit nuk ka përmbushur obligimet e kontratës