OEA: Ministria e Infrastrukturës, e rëndësishme për bizneset

Prishtinë | 27 Sht 2018 | 12:32 | Nga

Me qëllim të informimit të bizneseve me zhvillimet e fundit të Ministrisë së Infrastrukturës në Kosovë, planet e ardhshme si dhe ndikimin që ato kanë në aktivitetin biznesor, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi sot një tryezë diskutimi me Ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka tha se Ministria e Infrastrukturës është një ministri e rëndësishme për sa i përket operimit të bizneseve, duke shtuar se viteve të fundit janë bërë investime të shumta që përmirësojnë infrastrukturën transportuese në vend.

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, njoftoi të pranishmit lidhur me zhvillimet e fundit të Ministrisë që ai drejton në përmirësimin dhe zhvillimin e infrastrukturës transportuese rrugore, hekurudhore dhe ajrore.

Ministri Lekaj tha se është duke u punuar shumë për adresimin e sfidave dhe problemeve që bizneset hasin për sa i përket infrastrukturës, duke përmendur mes të tjerash edhe mirëmbajtjen e rrugëve. Ai foli për përfitimet për qytetarët dhe bizneset nga autostrada me Shqipërinë, si dhe përfundimin e shpejtë të autostradës në drejtim të Maqedonisë, por edhe autostradat e tjera në të cilat Ministria që ai drejton është duke investuar për momentin, si ajo e Gjilanit dhe Dukagjinit.

Ministri Lekaj poashtu foli për investimin e Ministrisë në zgjerimin e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili do të mundësojë operimin e fluturimeve edhe në kushte më të rënduara atmosferike, ndërsa theksoi se fokusi i Ministrisë do të jetë në shtimin e masave të sigurisë në infrastrukturën rrugore.

Duke falënderuar Odën Amerikane për organizimin e diskutimit, ai u shpreh se dialogu i drejtpërdrejt ndërmjet Ministrisë dhe bizneset mundëson marrjen e rekomandimeve direkte nga ana e tyre, duke ndihmuar kështu Ministrinë në përmirësimin e legjislacionit por edhe implementimin më të mirë të ligjeve ekzistuese.

Të ngjashme