Oda Ekonomike Amerikane ka komentuar Projektligjin mbi Pagat të hartuar nga Qeveria e Kosovës.
Përmes një komunikate për media, OEA ka shprehur shqetësimet e saj rreth këtij projektligji, duke cekur se ai rrezikon qëndrueshmërinë buxhetore dhe rrit hendekun e pagesave ndërmjet sektorit publik dhe privat.
Reagimi i plotë i Odës Ekonomike Amerikane:
“Ruajtja e stabilitetit makroekonomik përmes një qasje të kujdesshme në shpenzimin e parasë publike ka rëndësi të madhe në zhvillimin ekonomik afatgjatë të Kosovës. Në këtë aspekt, Oda Ekonomike Amerikane konsideron se institucionet e vendit kanë për obligim të sigurojnë që ky stabilitet nuk rrezikohet në asnjë rrethanë. Krahas qëndrimeve të shprehura së fundmi mbi shpenzimin e pakontrolluar të parasë publike, Oda Amerikane shpreh shqetësimet e saja edhe mbi Projektligjin për Paga, duke vlerësuar se i njëjti rrezikon qëndrueshmërinë buxhetore si dhe rrit edhe më shumë hendekun e pagesave ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.
Aprovimi i Projektligjit për Paga në formën aktuale, do të kishte implikime të konsiderueshme dhe do rriste deficitin buxhetor në vend. Rritja e pjesëmarrjes së pagave në buxhetin e vendit do të ndodhte në kurriz të rënies së investimeve kapitale që janë të një rëndësie shumë të madhe në aspekt të fuqizimit së sektorit privat dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik. Për më tepër, rritja e deficitit padyshim se do të çonte në rritjen e barrës tatimore për bizneset ekzistuese në vend, duke marrë parasysh nevojën për mbledhjen e më shumë të hyrave.
Krahas ndikimit buxhetor, Projektligji mbi Paga do të ndikonte negativisht edhe mbi tregun e punës në vend. Sektori privat nuk mund të ndjekë ritmin e institucioneve në rritjen e pagave, meqë pagat në këtë sektor përcaktohen nga forcat e tregut dhe produktiviteti i fuqisë punëtore. Rritja e hendekut të pagesave do të nxiste edhe më shumë fuqinë punëtore që të konsiderojnë sektorin publik si punëdhënësin e preferuar, duke përkeqësuar edhe më tej situatën përsa i përket boshllëkut të shkathtësive të fuqisë punëtore në sektorin privat, kjo tashmë e raportuar si njëra ndër pengesat më të shprehura në të bërit biznes. Të gjitha këto elemente do të dëmtonin prospektet për zhvillim të sektorit privat si dhe tërheqje të investimeve të huaja direkte.
Duke u bazuar në atë që u tha më sipër, Oda Ekonomike Amerikane i kërkon Qeverisë së Kosovës të tregohet e kujdesshme me nivelet e propozuara të pagave në Projektligjin mbi Pagat, gjithnjë duke u bazuar edhe në rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Përderisa reformimi i administratës publike është një proces tejet i rëndësishëm dhe i pashmangshëm, ky reformim duhet të udhëhiqet nga nevoja për të rritur produktivitetin e punëtorëve në sektor dhe ofrimin e shërbimeve më të mira publike.
Në fund, Oda Ekonomike Amerikane përsërit kërkesën e saj ndaj Qeverisë për dialog më aktiv me organizatat që përfaqësojnë interesat e sektorit privat dhe shoqërinë civile, derisa vetë mbetet e përkushtuar për të dhënë kontributin e saj në të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me fuqizimin e sektorit privat në vend”.