Nën organizimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, delegacioni nga shteti amerikan i Iowas, i përbërë nga ligjvënës, përfaqësues të institucioneve publike e private, e të institucioneve edukative vizitoi disa kompani kosovare për t’u njohur me punën që ato bëjnë si dhe me produktet që prodhojnë, ndërsa një pritje për nder të tyre u organizua në fabrikën e produkteve plastike KIVO në Kaçanik.
Ligjvënësi nga shteti i Iowas Zach Nunn, i shoqëruar nga zyrtari për marrëdhënie ndërkombëtare i shoqatës së bizneseve Greater Des Moines Partnership që përfaqëson mbi 8,000 biznese nga shteti i Iowas, dhe Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane takuan zëvendësministrin e Financave të Kosovës Fatmir Gashi. Gjatë takimit zëvendësministri Gashi, por edhe këshilltarët Lulzim Rafuna e Behxhet Haliti sqaruan përfitimet për bizneset nga reforma e fundit fiskale që ka zbatuar Kosova, por edhe për mundësitë të investimit në Kosovë. Ligjvënësi Nunn u interesua lidhur me infrastrukturën e mundshme në të cilën investitorët e interesuar amerikan do të mund të vendoseshin.
Anëtarë të delegacionit amerikan u takuan edhe me ish Presidenten e vendit Atifete Jahjaga, ku e falënderuan atë për rolin e saj në avancimin e raporteve ndërmjet shteteve simotra të Iowas dhe Kosovës. Ata u informuan më detajisht që Presidentja Jahjaga po bënë me Fondacionin e saj të themeluar së fundmi.
Delegacioni vizitoi Parkun e Biznesit në Drenas ku u takuan me Kryeshefin e Agjencisë për Investime dhe Mbështetje të Ndërmarrjeve në Kosovë Besian Mustafa, por edhe kompaninë e produkteve pastike SCAMPA që operon në këtë park. Agjenda e delegacionit përfshiu edhe vizita në fabrikën e prodhimit të produkteve plastike KIVO, Qendrën e Inovacionit të Kosovës, fabrikën e përpunimit të patates VIPA, fabrikën Birra Peja, fabrikën e produkteve farmaceutike TrePharm, korporatën HIB/Emerald, si dhe Korporatën Energetike të Kosovës.
Institucionet edukative nga Iowa janë takuar edhe me përfaqësues të kolegjeve private në Kosovë, qendrat e edukimit profesional, si dhe Shoqatën e Hoteleve, Restoraneve dhe Kafiterive, për të diskutuar për nevojën e prezantimit të programeve të trajnimit profesional në sektorin e gastronomisë. Delegacioni ka vizituar edhe Komunën e Shtërpcës ku është njoftuar me potencialet që ofron qendra rekrative-turistike e Brezovicës, si dhe mundësitë për investime në të.
Kosova dhe Iowa kanë nënshkruar marrëveshje të Partneritetit të Shteteve Simotra në vitin 2013, ndërsa përveq bashkëpunimit ushtarak, marrëveshja promovon shtrirjen e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera, si ekonomi, edukim dhe sport. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në partneritet me organizatën homologe në Iowa, Greater Des Moines Partnership, ka drejtuar disa delegacione të bizneseve kosovare në shtetin e Iowas, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit afarist ndërmjet dy shteteve.