Bizneset në Kosovë, e në veçanti sektori i prodhimit, kanë identifikuar energjinë elektrike si një pengesë të konsiderueshme në zhvillimin e tyre që nga periudha e pas luftës. Furnizimi jostabil me energji elektrike përgjatë viteve i ka shkaktuar dëme shumëmilionëshe industrisë vendore si dhe ka penguar fuqizimin e sektorit të prodhimit në vend. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh besimin që një pjesë e konsiderueshme e sfidave me të cilat bizneset janë përballur në fushën e energjisë do të gjente adresën e zgjidhjes përmes ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”.
Krahas zhvillimeve pozitive viteve të fundit në aspekt të rritjes së stabilitetit dhe parashikueshmërisë së furnizimit, Kosova vazhdon të përballet me nevojën imediate për krijimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike. Ndërtimi i termocentralit të ri do t’i mundësonte Kosovës të zgjeronte kapacitetet gjeneruese dhe rrjedhimisht të ulte varësinë nga importi i energjisë elektrike.
Termocentralet ekzistuese operojnë me teknologji shumë të vjetër, ndërsa një defekt më serioz i tyre do të përballte Kosovën me krizë energjetike, si dhe do të rriste varësinë ndaj importit, duke nxitur rrjedhimisht edhe rritjen e çmimit të energjisë.
Poashtu, vlen të theksohet se linjiti paraqet burimin kryesor natyror për Republikën e Kosovës dhe si i tillë, i njëjti duhet të gjejë shfrytëzim në nxitjen e zhvillimit ekonomik në vend, marrë parasysh edhe teknologjinë e re në këtë fushë, që ka mundësuar që të ulet dukshëm ndikimi në mjedis i burimeve të tilla. Normalisht, ndërtimi i termocentralit nuk duhet të dekurajojë investimet në zhvillimin e kapaciteteve gjeneruese nga burimet e ripërtërishme të energjisë.
Marrë parasysh këto, Oda Amerikane shpreson që të shoh në muajt në vijim përmbylljen e suksesshme të përpjekjeve shumëvjeçare të Qeverisë si dhe kompanisë së përzgjedhur, të cilat do të çonin në jetësimin e projektit të termocentralit të ri, si një domosdoshmëri për sektorin privat në vend.