Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik (OECD) ka ulur përsëri parashikimet e saj për sivjet dhe vitin e ardhshëm të ekonomisë botërore, ndërsa paralajmëron se mosmarrëveshjet tregtare dhe pasiguria mbi BREXIT-in do të godasin tregtinë dhe bizneset botërore.
“Rritja botërore po ngadalësohet dhe Evropa po ngadalësohet shumë më tepër sesa pritej dhe ka shumë rreziqe. Ka më pak rritje në Kinë, ka tensione tregtare në vazhdim, ka BREXIT, ka tregje financiare. Por gjendja nuk është vetëm e zymtë”, është shprehur kryeekonomistja e OECD-së, Laurence Boone, përcjell Telegrafi.
OECD-ja parashikon që Gjermania dhe Italia mund të kenë një ngadalësim të ndjeshëm.
Për ekonominë më të madhe të Evropës, Gjermaninë, OECD për sivjet e përgjysmoi parashikimin e rritjes së Produktit të Brendshëm Bruto në 0.7 për qind nga 1.6 për qind më parë, ndërsa për vitin e ardhshëm parashikon një rritje 1.1 për qind. Ndërsa, për Italinë OECD-ja për sivjet parashikon një tkurrje për 0.2 për qind, para një rimëkëmbjeje të lehtë vitin e ardhshëm.
Gjithashtu, organizata e uli vlerësimin për rritjen e SHBA-së në 2.6 për qind për vitin 2019, nga ai i mëparshëm prej 2.7 për qind, kryesisht për shkak të ndikimit të rivendosjes së tarifave.