Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGjK), në kuadër të Premium Business Club, së bashku me disa anëtarë Premium të odës e vizituan Fabrikën e Çokollatës dhe Ëmbëlsirave “Missini Sweets”.
Ata fillimisht ndalën në pastiqerinë “Missini Sweets” në qendër të Mitrovicës. Historia e “Missini Sweets” kishte filluar pikërisht në atë lokacion, para 10 viteve.
Sabahate Misini me një mikser të rëndomtë dhe furrën e shtëpisë kishte filluar të përgatis torte dhe ëmbëlsira për familjarë dhe të afërm, e pastaj për tërë lagjen deri në momentin kur e kanë hapur një pastiqeri të vogël me 6 tavolina.
Missini i ka 9 pika të shitjes dhe ka të punësuar mbi 90 persona në fabrikë. Vlen të cekët që shumica e të punësuarve në këtë fabrikë janë gra dhe vajza të reja.
Më së shumti njihet për bakllavat e saja unike, për prodhimin e të cilave ka një kapacitet të jashtëzakonshëm, deri 300 tepsi në ditë.
Tërë këtë e kanë arritur me punë dhe pa ndihmën e askujt, përpos klientëve që i kanë qëndruar besnikë përgjatë viteve.
Deri në vitin 2020 synojnë të hapin pika të shitjes në të gjitha qytetet e Kosovës dhe ta arrijnë numrin e 15 pikave në tërë Kosovën.