OEK anëtarësohet në Asociacionin Evropian për Arsim Profesional

Prishtinë | 05 Tet 2017 | 13:56 | Nga

Arsimi dhe aftësimi profesional është njëra nga shtyllat kryesore në zhvillimin e resurseve humane në ndërmarrje por edhe ne zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë.

“Oda Ekonomike e Kosovës në vazhdimësi është duke kontribuar në përmirësimin e shërbimeve arsimore në Kosovë si dhe duke sjellë përvoja evropiane. Kosova, si gjithnjë e më shumë ka nevojë për përvojën Evropiane, me theks të veçantë atë të vendeve gjermano folëse në fushën e Arsimit dhe Aftësimit. Kjo arrihet vetëm duke shtuar numrin e partnerëve dhe duke qenë pjesë e rrjetëzimit të akterëve në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional”,- tha zoti Safet Gerxhaliu, Kryetar i Odes Ekonomike të Kosovës.

Kjo u tha me rastin e anëtarësimit të Odes Ekonomike të Kosovës, në Asociacionin Evropian të Instituteve për Arsim Profesional ( EVBB) me seli në Bruksel.

Ky asociacion është ombrellë evropiane e ofruesve të shërbimeve të trajnimeve dhe aftësimeve si institucione jo-profitabile dhe ka për qëllim përmirësimin e cilësisë e arsimit dhe aftësimit profesional në vendet evropiane dhe rritjen e angazhimeve në arsim në nivelin Evropian.

Anëtarësimi i Odës Ekonomike të Kosovës u miratua nga Asambleja e përgjithshme e Asociacionit, që po mbahet në kuadër të Konferencës vjetore në Valleta të Maltës.

“Është nderi ynë që të kemi anëtare të Asociacionit tonë, një institucion si Oda Ekonomike e Kosovës, mirësevini dhe urime”- tha zoti Thiemo Fojkar, Kryetar i Asociacionit Evropian të Instituteve për Arsim Profesional ( EVBB) me seli në Bruksel.

Paraprakisht, Kryetari Safet Gerxhaliu, së bashku me Parimin Bajramin, Sekretar i OEK-ut dhe Besim Mustafa, Drejtor i Departamentit për arsim profesional kanë zhvilluar një takim me Sekretarin gjeneral të EVBB-së, Horst Dreimann, ku u bisedua gjetja e mundësive të bashkëpunimit, implementimi i projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave për të cilat Kosova ka shumë nevojë.

Krahas Odës Ekonomike të Kosovës, në këtë asociacion janë anëtarësuar edhe institucione kredibile si: Univerziteti i Tartus nga Estonia, ENAIP Internacional nga Zvicrra, Asociacioni federal ndërkombëtar për arsim profesional( BvBBI)-Gjermani, Escoop nga Turqia.

 

Të ngjashme