Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe bizneset në vend janë shprehur të shqetësuar se Kosova është duke u përballur me mungesë të fuqisë punëtore si shkak i largimit të të rinjve nga vendi, raporton Ekonomia Online.
Ata thonë se mungesa e punëtorëve është duke u vërejtur edhe më shumë pas liberalizmit të vizave, prandaj, për këtë, ata i kanë bërë thirrje qeverisë që të ndërmarrë masa në hartimin e një strategjie që parandalon ikjen e tyre dhe mundëson kthimin e tyre në formën e investitorëve.
Kryetari i OEK-ut Lulzim Rafuna, ka thënë se Kosova është duke u përballur me sfidën e mungesës së fuqisë punëtore dhe si shkak i kësaj, ai ka theksuar se bizneset po detyrohen që të marrin punëtorë nga vendet e huaja.
Ai ka thënë se sektorët që janë duke u përballur më shumë më këtë fenomen janë sektori i ndërtimtarisë dhe ai i gastronomisë.
“Po vazhdon sfida e mungesë së fuqisë punëtore. Kjo është një sfidë që dy vitet e fundit që e kanë bizneset, mirëpo është me e theksuar me liberalizimin e vizave. Sektorët me të goditur edhe me së shumti nga mungesa e fuqisë punëtore janë sektorët e ndërtimtarisë dhe gastronomisë; këta janë dy sektorët ku është me së shumti e vërejtur mungesa e fuqisë punëtore”, tha Rafuna.
Por, nuk janë shumë më mirë as sektorët të tjerë. “Kompanitë kanë filluar që të importojnë fuqi punëtore prej vendeve të ndryshme. Mirëpo edhe këto kompani nuk e kanë një siguri që ata punëtorë do të qëndrojnë gjatë. Kjo për arsye se shumica absolute e atyre vijnë me tendencën që të vendosen në Kosovë derisa ta gjejnë një mundësi për të dalë në vendet e BE-së”.
“Vazhdon që të ketë mungesë të fuqisë punëtore, vazhdon të importohet fuqia punëtore dhe kërkesa jonë mbetet, sidomos tek institucionet e shtetit që ta hartojnë një strategji, ta gjejnë një mundësi që ta parandalojnë shkuarjen e të rinjve dhe mundësisht t’i kthejnë ata që kanë shkuar jashtë, që të kthehen në formën e investitorëve në Kosovë”, ka thënë kreu i Odës Ekonomike për EO.
Sipas tij, punëtorët që vijnë në Kosovë janë kryesisht nga Bangladeshi, Nepali, India dhe Turqia.
“Vendet ma të theksuar janë nga Bangladeshi, Nepali, India, Turqia… Për hirë të korrektësisë, nga Turqia janë më profesionalë dhe vijnë me tendencën me qëndruar me gjatë edhe bizneset janë më të kënaqur me fuqinë punëtore që po importohet nga Turqia”, ka thënë Rafuna.
Njazi Musliu, pronar i kompanisë “Eurometal” nga Ferizaj, ka thënë si kompani janë duke u përballur me mungesë e fuqisë punëtore në vend dhe se për këtë arsye janë detyruar që si biznes t’i punësojnë 17 punëtorë nga Bangladeshi.
Ai ka potencuar se janë në bisedime edhe me disa punëtorë nga Turqia që t’i punësojnë në Kosovë.
“Sigurisht që është mungesa e punëtoreve pas liberalizimit të vizave. Ne si kompani jemi në rritje e sipër edhe kërkesat për tregun evropian pasi që kompania ‘Eurometal’100 për qind e ka eksport prodhimin e vet, do të thotë ka nevojë për rritjen e kapacitetit dhe numrit të punëtorëve. Neve na është dashur që të marrim edhe punëtorë nga vendet e treta. Nga Bangladeshi, për momentin i kemi 17 punëtorë më të cilët edhe jemi të kënaqur, e bëjnë punën me rregull, janë të respektueshëm, janë të dëgjueshëm edhe kalojnë shumë mirë më pjesën tjetër të punëtorëve tanë që i kemi”.
“Kemi pasur kërkesa edhe prej Turqisë që të vijnë të punojnë tek ne. Jemi në bisedime me disa punëtorë nga Turqia, mirëpo prapë se prapë dëshira jonë është që të punësohen të rinjtë tanë, të rinjtë tanë të rrinë në Kosovë… Punëtorët kosovarë fatkeqësisht po emigrojnë, edhe pse nuk e kanë më mirë as në Gjermani edhe në vendet e tjera të Evropës”, ka thënë ai.
Musliu shtoi se të rinjtë i kanë humbur shpresat nga qeveria aktuale dhe si shkak i kësaj, ai ka thënë se të rinjtë janë duke u larguar.
Ai i ka bërë thirrje qeverisë që të bashkëpunojë më shumë me bizneset, pasi sipas tij, një bashkëpunim i tillë do të ishte në favor të ekonomisë së Kosovës.
“Unë besoj që secili institucion duhet që t’i kryej punët e veta. Edhe qeveria duhet që t’i motivojë të rinjtë që të rrinë në Kosovë. Deri më tani ka qenë shpresë qeveria aktuale; siç po shihet kjo shpresë tek të rinjtë nuk po ekziston më dhe të rinjtë po ikin fatkeqësisht. Qeveria duhet t’i stimulojë kompanitë edhe me mjete, pasi që pjesa dërmuese e të rinjve nuk janë të përgatitur profesionalisht për lëmi të prodhimit e kjo është një ngecje e madhe e ekonomisë së Kosovës. Kështu që një bashkëpunim mes qeverisë dhe kompanive private, të cilët janë motori kryesor i punësimit të rinjve, atëherë kishte më qenë shumë e favorshme për Kosovën; edhe ekonomia e Kosovës do ta kishte rritur eksportin edhe ta zvogëlonte importin”, ka thënë pronari i “Eurometal”.
E ndryshe nga bizneset, ikjen e fuqisë punëtore janë duke e parë zyrtarët shtetërorë.
Zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane dhe dialog, Besnik Bislimi, ka deklaruar më herët gjatë javës, se të rinjtë nuk po ikin, por të moshuarit po shkojnë për vizita.
“Kanë dalë gjyshet jashtë, kanë shkuar me i këqyrë nipat, u kënaqën”, është shprehur Bislimi, sipas të cilit të rinjtë po qëndrojnë në vend dhe po kontribuojnë në zhvillim.
Ekonomia Online ka dërguar pyetje edhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, në lidhje me statistikat që ata posedojnë për ikjen e të rinjve dhe ndikimi që ka në ekonomi largimi i tyre, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.
E në një postim në Facebook, të premten, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se liberalizimi i vizave është një prej gjërave më të mira që i ka ndodhur ekonomisë së Kosovës.
Duke iu referuar ASK-së, Murati ka thënë se rritja ekonomike në tre mujorin e parë të këtij viti ka përshpejtuar edhe më tutje ritmin duke shënuar nivelin 5.62%, që thotë se është dukshëm më e lartë se tremujori i fundit i vitit 2023, kur ishte 3.96%.
“Pas tejkalimit të stuhisë së krizave globale, dhe stabilizimit të çmimeve, tani gradualisht po i kthehemi potencialit dhe rritjes së synuar. Kjo demanton të gjithë zërat skeptikë dhe prognozat e zymta që me çdo kusht mundoheshin ta lidhnin liberalizimin e vizave me skenare apokaliptike në fillim të vitit”, ka shkruar Murati.