Oda Ekonomike e Kosovës përmes një komunikate të lëshuar ka shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me dokumentin e fundit nga Komisioni Evropian, ku sipas tyre nuk po definohet saktë perspektiva evropiane për Kosovën. Sipas kësaj komunikate është momenti i fundit për një kthesë që do merrte kahje pozitive për vendin.
Më poshtë komunikata e plotë e lëshuar nga Oda Ekonomike e Kosovës:
Komuniteti i biznesit, përfaqësuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, shpreh zhgënjimin e thellë me dokumentin e fundit të publikuar nga Komisioni Evropian, përmes të cilit definohet Strategjia e Zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht raportet e ardshme në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Përderisa ka një përcaktim të qartë të relacioneve dhe anëtarësimit të mundshëm për 5 vende të Ballkanit Perëndimor, në rastin e Kosovës, persepektiva evropiane mbetet në nivel të status quos, pothuajse njejtë më nivelin e vitit 2004, kur në Samitin e Selanikut është përcaktuar ofrimi i “perspektivës evropiane” për vendet e Ballkanit Perëndimor. Që nga Samiti i Selanikut, vendet tjera të Ballkanit Perëndimor kanë avancuar dukshëm në rrugën e anëtarësimit në BE, ndërsa me Kosovën ka vetëm vazhdim të “eksperimenteve frazeologjike”, nga vokabulari i burokratëve evropianë. Është e vërtetë që në procesin e integrimit në BE, jemi peng të mosnjohjes nga 5 (pesë) vende anëtare të BE-së, mirëpo pozicioni i tanishëm i Kosovës në këtë proces është edhe refleksion i moskryerjes të “dëtyrave të shtëpisë” dhe qasjes infantile dhe vetëizoluse të akterëve kyq të politikës kosovare.
Nga aspekti i ndikimeve të mundshme në ekonominë e vendit , për të cilin ne angazhohemi si institucion, Strategjia e Zgjerimit e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, si një dokument që do të ndikojë edhe në orientimin e investimeve të huaja në rajon, do të ndikojë negativisht në tërheqjen e Investimeve të Huja Direkte në Kosovë. Me një përspektivë evropiane të paqartë, askush nga investitorët e huaj, nuk do të gjej arsye të investojë në Kosovë, kur në të njejtin rajon gjeografik, ka vende të cilat në vitin 2025 presin të bëhën anëtare të BE-së. Për më shumë, për herë të parë një dokument strategjik dhe zyrtar i BE-së, i referohet kapjes së strukturave të rëndësishme shtetërore, nga politikanë dhe grupe të interesit, në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky mund të duket vetëm një formulim më shumë, por në fakt, kjo do të jetë sfida kryesore për zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të këtyre vendeve, veçanërisht Kosovën, me probleme të theksuara të sundimit të ligjit dhe dukurive negative.
Është momenti i fundit që të bëhët një kthesë dhe të marrim një kahje pozitive, në mënyrë që të mospërmbushen pritjet e skeptikëve të ekzisitmit të Kosovës si shtet i pavarur dhe çelësi për këtë është në adresimin e problemeve dhe prioriteteve të theksuara në Strategjinë për Zgjerim, si dhe në shumë rekomandime të institucioneve dhe miqëve ndërkombëtar, përfshirë edhe propozimet dhe kërkesat shumë specifike dhe shumë të arsyeshme të sektorit privat dhe Odës Ekonomike të Kosovës, për zhvillim ekonomik, luftim të ekonomisë joformale, dekriminalizim të strukturave të rendit dhe ligjit dhe mbi të gjitha reformave substanciale në edukim.