Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar pas disa shkrimeve në media, duke sqaruar se përfaqësuesit e saj do të marrin pjesë në Forumin Ekonomik Shqipëri-Serbi, i cili duhet te mbahet në Nish.
OEK rikujton se kryetari Safet Gërxhaliu e ka konfirmuar këtë qëndrim edhe në komunikatën për medie të datës 25 gusht. “Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) bën të ditur se nuk do të jetë pjesë e takimeve të paralajmëruara në Nish ndërmjet përfaqësuesve të Shqipërisë dhe Serbisë”.
OEK thotë se angazhohet për bashkëpunim rajonal ekonomik dhe ndërinstitucional në baza të barabarta dhe pa politizim. Oda rikujton se Kosova i ka institucionet e veta, presidentin, Kuvendin dhe Qeverinë; ndërsa thekson se Oda Ekonomike e Kosovës nuk do të jetë pjesë e asnjë aktiviteti në të cilën vendi nuk do të jetë i përfaqësuar si subjekt i barabartë me të tjerët.
OEK thotë se nuk do të jetë pjesë e këtij takimi pa pjesëmarrjen barabartë të institucioneve relevante të Republikës së Kosovës. “Oda Ekonomike e Kosovës nuk do të jetë pjesë e proceseve të cilat janë politizuar në masë të madhe dhe ju shërbejnë për nevojat e brendshme apo ndërkombëtare të cilitdo”, ka thënë kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu.
“Asnjë vend fqinj i Kosovës nuk ka të drejtë që të fletë dhe vendos në emër të vendit tonë. Për atë mund të vendosin vetëm institucionet legjitime të Kosovës”.“Tendencat që autostrada që lidhë Kosovën me Serbinë të riemërohet në autostradë Nish-Durrës është politike dhe ka për qëllim që të konfirmon qëndrimin e Serbisë se Kosova është pjesë e saj”.
Oda Ekonomike e Kosovës kundërshton fuqishëm tendencat e tilla.“Ne angazhohemi që ndërtimi i autostradës si kontribut në zgjidhjen e çështjeve infrastrukturore të mos politizohet dhe të shfrytëzohet si mundësi e mirë për bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës dhe marrëdhënieve ekonomike”.“Si Odë Ekonomike e Kosovës jemi të angazhuar në normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mendojmë që bashkëpunimi ndërkufitar nuk ka alternativë. Në këtë drejtim konsiderojmë se infrastruktura ka rëndësi strategjike për bashkëpunim ekonomik”, thotë kreu i Odës.
Kryetari Gërxhaliu tha se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë më shumë në eliminimin e barrierave tregtare, në avancimin e dialogut dhe implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.