Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) mbështet deklaratën e ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, për shuarjen e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP). Sipas OEK-ut, ky është një ndër organet që ka gjeneruar më së shumti amulli në vendimmarrje, politizim të skajshëm të vendimeve, promovim të tenderomanisë favorizuese, gjenerim të korrupsionit, pa-konkurrueshmësisë fer për bizneset vendore e ndërkombëtare dhe në veçanti dëmtim të imazhit të Kosovës në përmasa të mëdha.
“Duke pasur parasysh faktin se Kosova ballafaqohet me sfida të shumta që ndikojnë në ambientin e të bërit biznes dhe emëruesi i përbashkët i zgjidhjes së gjitha këtyre problemeve është sundimi i rendit dhe ligjit, sundim i rendit dhe ligjit i cili aktualisht nuk është në nivelin e dëshiruar, mendojmë se shuarja është zgjidhja më adekuate për momentin, por në të njëjtën kohë, OEK kërkon përgjegjësi për veprimet korruptive në këtë organ me qëllim të ndëshkimit dhe të rritjes së përgjegjësisë individuale dhe institucionale”.
“Prandaj, mbështesim fuqishëm një rekomandim të tillë që do të ndikojë në përmirësimin e imazhit të Kosovës, promovimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe përmirësimin e imazhit përballë investitorëve vendës dhe ndërkombëtarë”.