Oda Ekonomike e Kosovës është e interesuar për bashkëpunimin ekonomik më Republikën e Bullgarisë dhe angazhohet për avancimin e komunikimi dhe partneritetit që do të mundon identifikimin e barrierave të cilat pengojnë këtë bashkëpunim, u tha në takimin e kryetarit të Odës, Safet Gërxhaliu me konsullin e Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Kosovë, Valeri Hristov.
U vlerësua se fakti që Bullgaria është anëtare e BE-së dhe ka kaluar procesin e tranzicionit është një mundësi e përafrimit në lëmin e ekonomisë dhe kur kësaj i shtohet edhe rëndësia strategjike-gjeografike që e lidhë Ballkanin Perëndimorë me Turqinë dhe Azinë, partneriteti me Bullgarinë i jep një vend të veçantë.
“Me keqardhje them se viteve të fundit kemi pasur shumë pak vizita dhe misione tregtare, qoftë nga Bullgaria në Kosovë dhe anasjelltas. Por besoj që kjo qasje duhet të ndryshohet, dhe në këtë drejtim rol të rëndësishëm luan edhe Ambasada e Bullgarisë në Kosovë përmes mbështetjes së dhënies së vizave për biznese, por edhe përmes azhurimit dhe përshpejtimit të ratifikimit të marrëveshjeve ndërshtetërore të nënshkruara më parë, të cilat duhet të ratifikohen në Parlamentin e Republikës së Bullgarisë”, tha kreu i OEK-ut Gërxhaliu.
Ai përmendi se është më se i nevojshëm ratifikimi i marrëveshjes në mes të Ministrisë së Infrastrukturës se Kosovës dhe asaj të Bullgarisë që është nënshkruar vite më parë, por e cila akoma nuk është ratifikuar në Parlamentin Bullgar.
“Vonesat e tilla vërtetë krijojnë vështirësi dhe barriera për të avancuar bashkëpunimin ekonomik”, vlerëso kryetari Gërxhaliu.
Konsulli Ristov u falënderua për mikpritje dhe për gatishmërinë për bashkëpunim nga ana e Odës Ekonomike të Kosovës duke premtuar se pasi në mes të dy shteteve nuk ka çështje politike të hapura, bashkëpunimi ekonomik do të jetë prioritet i Ambasadës së Bullgarisë.
Po ashtu, Hristov premtoi se do të përdorë autoritetin e tij që në një kohë sa më të shkurtër, ndoshta brenda vitit të organizohet një forum ekonomik në Prishtinë dhe potencoi nevojën e ratifikimit të marrëveshjes për transport ndërkombëtar e cila do të krijojë efekte win-win për të dyja palët.