Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) është e shqetësuar me gjendjen e sektorëve të caktuar të prodhimit në Kosovë, që po përballen me një konkurrencë të madhe nga importi. Sipas OEK-ut, kjo konkurrencë nuk është duke funksionuar në harmoni me rregullat e parapara me marrëveshjen CEFTA dhe as me ligjet e caktuara vendore.
Komuniteti i biznesit në Kosovë kërkon ndërhyrjen e Institucioneve Qeveritare, me qëllim të mbrojtjes së tyre nga importet që vijnë nga vendet e regjionit, me çmime dukshëm më të ulëta se ato në vendin ku janë prodhuar, me çka bëjnë shkelje të rregullave të tregut të lirë dhe dëmtojnë seriozisht prodhuesit vendës në Kosovë, thotë Oda Ekonomike, nëpërmes një komunikate shtypi.
“Prodhuesit e perimeve, ata të grurit dhe miellit dhe tash së fundit edhe prodhuesit e vezëve, janë sektorët më të goditur që aktualisht janë duke u përballë me një problematikë të tillë”.
Oda Ekonomike e Kosovës thotë se ka qenë gjithmonë në favor të promovimit të tregut të lirë dhe bashkëpunimit regjional, por kurrsesi në kurriz të prodhuesve vendës dhe duke lejuar të shkelen rregullat bazë të tregut të lirë.
Kërkojmë nga Institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të jenë aktive në mbrojtjen e prodhimit vendor dhe sigurimin e zbatimit të ligjshmërisë e cila do të jetë e barabartë për të gjithë aktorët në tregun vendor.
Jemi në fillim të përgatitjeve për korrje-shirjeve në Kosovë dhe në qoftë se nuk ndërmerren hapa konkret për të mbrojtur rendimentet e prodhuara vendore të paktën në një periudhë kohore të caktuar siç e bëjnë vendet e rajonit dhe më gjerë, atëherë do të kemi efekte negative. Përveç pasojave ekonomike dhe sociale do të ballafaqohemi me efekte psikologjike ku prodhuesit tanë nuk do të jenë të motivuar për aktivitete prodhuese në Kosovë në mungesë të mbrojtjes institucionale.
Këtë e dëshmon më së miri edhe fakti tjetër që krahasuar me vitin 2016 këtë vit kemi mbjellje të grurit me pak për rreth 20 000 hektarë, që dëshmon për një situatë alarmuese të krijuar nga mungesa e mbrojtjes institucionale, e në veçanti nga çmimet dumping që vijnë nga vendet e rajonit dhe më gjerë.