Pas takimit në Odën Ekonomike të Kosovës me kryetarin Berat Rukiqi, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë se nuk do të lejojnë që të dëmtohen bizneset e Kosovës, duke iu referuar problemeve që këto të fundit kanë me furnizim me rrymë.
Hasani, duke shtuar se do të gjejnë një mënyrë që ta zgjidhin këtë problem, ka thënë se ndaj KEDS-it duhet të ketë mbikëqyrje më të rreptë, raporton Ekonomia Online.
Kreu i MTI-së kërkoi nga Rukiqi që t’i mbrojë interesat e bizneseve e të mos ndikohet nga grupet e caktuara.
“Mendojmë që Oda Ekonomike duhet të jetë nga bizneset si pikë kryesore e kontaktit për t’i shfaqë të gjitha ato shqetësimet e veta me qëllim që Oda Ekonomike të jetë një adresë që i adreson institucionet se duhet të trajtohet ai problem”.
“Sa i përket KEDS-it, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është edhe një adresë që bizneset çdo ditë kanë ankesë sa i përket KEDS-it”.
“Përveç asaj pikës së kontaktit, ndoshta ta shohim dhe ta trajtojmë që të jetë edhe pjesë e këshillit kombëtar, përfaqësuesi i asaj zyrës që edhe këshilli kombëtar, të gjendet një mekanizëm, të formohet një grup institucional, administror që të ketë një mbikëqyrje më të rreptë KEDS-i dhe kushdoqoftë”.
Hasani deklaroi se nuk do të lejojnë që dikush “të luajë” me bizneset kosovare, sepse do t’i mbrojnë ato.
“Jemi për t’i mbrojtë bizneset dhe nuk lejojmë kurrkush me lujtë me bizneset tona. Faktet, ankesat dëshmojnë që KEDS-i i ka disa pengesa që duhet të ulemi e t’i bisedojmë”.
Në anën tjetër, kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, bëri të ditur për marrëveshjen që kanë arritur me KEDS-in, për themelimin e një zyre e cila do të merret me gjetjen e mundësive më të mira për përmirësimin e situatës së bizneseve, raporton EO.
“Kemi një harmonizim me Ministrinë e Tregtisë që ta trajtojmë me prioritet çështjen e energjisë elektrike”.
“Ne dje e kemi arritë në parim një marrëveshje me KEDS-in, të kemi një zyre për fasilitimin e furnizimit më të mirë me energji elektrike, të fasilitimit në rrjet të bizneseve, të mundësive për me pa aty ku ka mundësi qeveria të investojë me fuqizu aftësinë konkurruese të bizneseve”.
“Ne do të kemi shpejt një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe pastaj do ta shohim ku do të arrijë kjo dhe çfarë efekte mund të krijojë në vitet në vijim”.
Rukiqi tha se do të bashkëpunojnë edhe me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për rregullimin e çështjes së furnizimit me energji elektrike.
“Një nga faktorët kyç që i pengon bizneset është furnizimi i rregullt me energji elektrike dhe këtu ka nevojë të intervenohet shpejt dhe ne do të bashkëpunojmë edhe me Ministrinë e Tregtisë edhe me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik”.