OEK-u merr pjesë në Samitin e Triestes

Prishtinë | 11 Kor 2017 | 11:12 | Nga

Oda Ekonomike e Kosovës merr pjesë në Samitin e Triestes me kërkesë për trajtim të barabartë ekonomik dhe politik me vendet e Ballkanit Perendimor.

Procesi i Berlinit, që këtë vit po vazhdon me Samitin e Triestes, ka vendosur në epiqendër të prioriteteve zhvillimin e sektorit privat në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën.

Këtë vit në kuadër të agjendës së Samitit të Triestes si kontribut direkt në këtë proces gjashtë Oda Ekonomike nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Oden Ekonomike të Kosovës do të hapin Sekretariatin e Forumit Investiv të Odave Ekonomike, me seli në Trieste, me përkrahjen e Qeverisë Italiane.

Qëllimi themelor i këtij Sekretariati është përgatitja e sektorit privat të këtyre 6 vendeve për të qenë konkurrues në tregun e BE-së, brenda kontekstit të zbatimit të kritereve për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.

Aktivitet tjetër i rëndësishëm i Odes Ekonomike të Kosovës dhe disa ndërmarrjeve me të devotshme në punimet e Samitit të Triestes, është pjesëmarrja në Forumin Biznesor dhe takimet B2B me 100 ndërmarrje italiane, institucione financiare ndërkombëtare dhe aktorë të rëndësishëm të BE-së.

Forumi organizohet në bashkëpunim me ICE, KIESA-në dhe Ambasadën Italiane në Prishtinë.

Një ndër qëllimet kryesore që do të prezantohen nga ana e Odes Ekonomike të Kosovës në këtë samit do të jetë synimi i avancimit të partneritetit ndërshtetëror në mes shteteve të Ballkanit Perendimor është eliminimi i barrierave jotarifore, eliminimi i burokracisë për investime, lëvizjen e lirë të personave dhe digjitalizim të ekonomive të vendeve të rajonit.

Vetëm të barabartë dhe pa barriera për lëvizje të qytetarëve, bizneseve, mallrave dhe shërbimeve mund të jemi pjesë përbërëse e proceseve për fuqizimin e frymës integruese në familjen evropiane.

Ky aktivitet i Odes Ekonomike të Kosovës brenda Procesit të Berlinit është në vazhdën e aktiviteteve të rëndësishme për ndërkombëtarizimin e ndërmarrësisë kosovare që shumë shpejtë pritet të rezultojë me investime dhe vende të reja të punës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme