Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) do të ndihmojë studentët e universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, për të kryer pjesën praktike në kompani të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Për këtë të mërkurën u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Universitetit “Isa Boletini” të përfaqësuar nga prorektori për Marrëdhënie me Jashtë, Rifat Morina si dhe Odës Ekonomike të Kosovës, të përfaqësuar nga kryetari, Safet Gërxhaliu.
Prorektori Morina, tha se Universiteti “Isa Boletini” është i fokusuar në programet teknike, prandaj si i tillë ka nevojë për bashkëpunim të ngushtë më botën e biznesit. “Jemi shumë të kënaqur për këtë bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës dhe jemi të bindur në efektet pozitive të këtij projekti të përbashkët”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili gjatë vizitës në Universitet ishte i shoqëruar edhe nga Rrustem Abiti, drejtor i administratës në OEK, tha se do të shfrytëzojnë çdo mundësi që të ndihmojnë studentët e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë. “Ne jemi të gatshëm që të mbështesim studentët e këtij universiteti në mënyrë që ata të bëhen pjesë e botës së zhvilluar”, theksoi Gërxhaliu.
Pas takimit në rektorat, kryetari Gërxhaliu, ka mbajtur edhe një ligjëratë para studentëve, ku ka folur për aspektet ekonomike në Kosovë.