Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë Lidhjes Demokratike të Kosovës një ofertë të parefuzueshme.
VV-ja i ka propozuar dy ministri më shumë në këmbim të kryeparlamentarit, kanë treguar burime brenda procesit për Insajderin.
Propozimi i është bërë të shtunën në shtëpinë e Mustafës në Prapashtice i njohur sipas epitetit të Kurtit si “Rançi i Mustafës”.
Kjo ofertë ka tunduar krerët e LDK-së. Megjithatë, është parë se oferta nuk është mirëpritur nga Isa Mustafa dhe Agim Veliu, të cilet insistojnë në pozitën e kryeparlamentarit. Ndërkaq, krerët e LDK-së, kanë kërkuar kohë për ta analizuar këtë ofertë.
Mustafa dhe zyrtarë tjerë të LDK-së tashmë janë mbledhur në zyret e LDK-së. Mustafa ka konfirmuar se do të ketë takim me Albin Kurtin.
“Po besoj që takim do të ketë, orën ende nuk e kemi caktuar. Po bëjmë përpjekje gjithmonë që të arrijmë marrëveshje, jam i përkushtuar për marrëveshje. Nuk ka kuptim që të vazhdohet ndryshe, po bëjmë përpjekje”, ka thënë Mustafa.