OJQ-të dërgojnë ankesë kundër Kosovës në Vjenë, shkak ndërtimi i hidrocentraleve ilegalë

Prishtinë | 14 Nën 2024 | 15:53 | Nga Gzim Mujaj

Disa organizata vendore për mbrojtjen e natyrës – EcoZ, Pishtarët, GAIA Kosovo dhe RiverWatch), kanë dorëzuar ankesë në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë të Austrisë, kundër Kosovës për shkeljen e ligjeve ndërkombëtare me ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Sharrit, raporton Ekonomia Online.

Sipas organizatave, ankesa mbështet fushatën, “Sharr National Park-No Dams”, e cila trajton shqetësimet e gjerë mjedisore dhe ligjore të ngritura në lidhje me efekte dhe implikimet e hidrocentraleve në Sharr.

Aty po ashtu u potencua se autorizimi i këtyre projekteve shkel ligjet mjedisore të Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe se ankesa nënvizon dështimin serioz të pajtueshmërisë rregullatorë dhe se e njëjta kërkon një rishikim të menjëhershëm.

Egzona Shala-Kadiu nga organizata “EcoZ”, ka thënë se ankesa është dorëzuar për katër hidrocentrale ilegale që janë ndërtuar në Sharr.

Shala-Kadiu ka njoftuar se nga sot do të hapin edhe një peticion online ku qytetarët do të mund të nënshkruajnë atë që të ndërpriten këto dëmtime të natyrës.

“Organizata mjedisore paraqesin aknes në Traktatin e Komunitetit të Energjisë për katër hidrocentrale ilegale në parkun kombëtare të Sharrit. Sot e kemi dërguar një ankesë në të cilën gjinden të gjitha të dhënat faktike prej vitit 2006 kur ka filluar studimi i fizibilitetit për kapacitetin e hidrocentrale në parkun Kombëtar të Sharrit. Të gjitha këto të dhëna të grumbulluara nga aspekti ligjor dhe administrativ janë identifikuar që kanë shkelje brenda procedurës së licencimit të këtyre hidrocentraleve. Ndër gjetjet kryesore të ankesës i kemi identifikuar tri. Si e gjetur kryesore tjetër në ankesën tonë i parashohim të gjitha aspektet ligjore që i kemi pasur ne, është fakti që këto hidrocentrale gjinden në parqe kombëtare, kanë shkelur të gjitha parimet edhe principet e parqeve kombëtare, përderisa sa katër hidrocentrale i kanë pikat matëse dhe gjende ne lokalizuar në zone 2 të Parqeve Kombëtare”, ka thënë ajo.

E aktivisti, Ali Sefaj ka thënë se për të ndalur këtë dëmtim të natyrës duhet që të gjithë të bëhen bashkë, në mënyrë që ekzekutivi t’i marrë parasysh vërejtjet për Hidrocentralet.

“Kemi ardhe në një pikë që duhet me fol edhe për aktivitet që kanë leje e që bien ndesh me legjislacione. Ajo çka kërkohet tash është që të jemi bashke dhe kur te vijë Qeveria t’i merr për bazë vërejtët, shqetësimet, peticionin dhe çka do tjetër për t’u përballur me cilën do edhe vështirësi edhe penalizim financiar për t’i ruajtur këto burime ujore, për arsye se një vend nuk mund të zhvillohet nëse nuk ka burime ujore”, ka thënë ai.

Aktivisti, Ardian Ndrrecaj ka thënë se ndërtimi i këtyre Hidrocentraleve bien ndesh  edhe me Ligjin për Ujërat.

“Përpos ankesës, këto hidrocentrale bien ndesh  edhe me ligjin për ujërat me ligjin e Kosovës, bien ndesh me prioritet që i parasheh Ligji për Ujërat i cili së pari është uji të ketë për banoret lokal e në fund për prioritet për përfitime komerciale. Deri sot kjo ka qenë e përmbysur dhe ujërat janë përdorur së pari për përftime komercial e pastaj për pjesën tjetër”, ka thënë ai.

Të ngjashme