Bisedimet e paqes për Sirinë që përfshijnë përfaqësuesit e regjimit sirian dhe opozitës do të rinisin sot pas një pushimi të shkurtër për shkak se disa delegatë rezultuan pozitivë në koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra e Geir Pedersen, të Dërguarit të Posaçëm të OKB-së për Sirinë, tha në një deklaratë se bisedimet e planifikuara, të cilat kanë qenë në pritje që nga e hëna, duhet të rinisin sot në orët e pasditës.
Vendimi erdhi pas “testimeve shtesë dhe këshilla të mëtutjeshme nga mjekët dhe ekspertët në lidhje me katër teste më të hershme pozitive për COVID-19”, thonë nga Zyra e OKB-së.
Përfaqësuesit në bisedime mund të rifillojnë takimet e tyre, “me distancim të plotë fizik dhe masa paraprake”, njoftuan nga OKB.
Sipas udhëheqësit kryesor të opozitës, Hadi al-Bahra, bisedimet për paqe në Siri filluan të hënën.
Por, nga OKB njoftuan se bisedimet u ndërprenë për shkak se katër prej pjesëmarrësve rezultuan pozitivë në koronavirusin e ri.
Ahmad Kuzbari, i cili përfaqëson regjimin e Bashar al-Assadit si bashkë-kryetar, nuk ishte i disponueshëm për koment pasi bisedimet u ndërprenë.
OKB nuk tha se cili nga 45 pjesëmarrësit e delegacioneve ishte i infektuar me virus, por burime nga opozita thanë për AA se besojnë që personat që rezultuan pozitiv kishin ardhur nga Damasku, kryeqyteti i Sirisë.
Siria është përfshirë nga një luftë e egër civile që nga viti 2011, kur regjimi i Bashar al-Assad-it ndërhyri me egërsi ndaj demonstruesve.
Që atëherë, mbi 5 milionë civilë janë bërë refugjatë. Turqia strehon 3.6 milionë prej tyre, më shumë se çdo vend në botë.