Më shumë se gjysma e popullsisë në Liban është në varfëri të plotë, në sfondin e një krize ekonomike akute, madje edhe para shpërthimit vdekjeprurës të 4 gushtit në Bejrut, raportoi sot OKB.
“Sipas vlerësimeve, më shumë se 55% e popullatës së vendit tani është në varfëri të plotë dhe po lufton për të siguruar nevojat më bazike”, tha Komisioni Ekonomik dhe Social i Kombeve të Bashkuara për Azinë Perëndimore (ESCWA) në një deklaratë.
Sipas ESCWA, 23% e popullsisë është në një situatë varfërie ekstreme, në krahasim me 8%-shin e vitit 2019.
Kjo dramë i shtohet kolapsit ekonomik të vendit, i theksuar nga pandemia e COVID-19, gjatë së cilës dhjetëra mijëra libanezë kanë humbur punën ose një pjesë të të ardhurave të tyre.