Ekipi i Kombeve të Bashkuara (OKB), që heton krimet e kryera nga organizata terroriste DEASH në Irak, ka zbuluar 12 varre masive, transmeton Anadolu Agency (AA).
I mbështetur po ashtu edhe nga ekspertë të shërbimeve inteligjente të Turqisë, Suedisë, Gjermanisë dhe Arabisë Saudite, ekipi i OKB-së vazhdon punimet në Irak që prej tetorit 2018.
Në raportin e dytë që ka paraqitur në Këshillin e Sigurisë së OKB-së, ai në tre tituj i ka trajtuar krimet e kryera nga DEASH si “sulmet kundrejt Jazidi-ve në vitin 2014”, “krimet e kryera në Mosul në vitin 2016” dhe “ushtarët irakianë të ekzekutuar në Tikrit në vitin 2014”.
Në raport bëhet e ditur se në Irak janë zbuluar 12 varre masive, si dhe theksohet se nga këto varre janë marrë prova mjeko-ligjore fizike e biologjike dhe janë mbledhur prova duke kryer intervista me të afërm të viktimave të DEASH-it.
Në raportin e tij ekipi i OKB-së njoftoi se është gati të ndajë provat e mbledhura me vendet dhe gjykatat, në mënyrë që DEASH të përgjigjet për këto krime që mund të përbëjnë krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.