Olluri kritikon Vitinë, Gërvallën dhe Haxhiun: VV po kërkon kontrollin e medieve

Prishtinë | 19 Pri 2021 | 21:16 | Nga Ekonomia Online

Gazetari Parim Olluri ka hedhur akuza ndaj ministrave të Qeverisë Kurti për shkak të veprimeve të tyre në momentin kur Insajderi publikoi dokumentet për negociatat me kompaninë Pfizer për sigurimin e vaksinave.

Olluri kritikoi Albulena Haxhiun, Donika Gërvallën dhe Arben Vitinë për deklaratat e tyre teksa tha se e kishte pritur këtë nga VV pasi, sipas tij, ata kërkojnë heshtjen e mediave.

“Ka pasur zhvillime të çuditshme pas publikimit nga insajderi. E kam pritur. Duke ditur si janë VV-ja dhe si kanë dëshirë të kontrollojë mediet. Konferenca e Vitisë e panevojshme, më shumë e ofendoi mediumin sesa që prezantoi ndonjë provë që artikulli është I pasaktë. Pastaj vërshuan komentet e kryediplomates Donika Gërvalla e cila bëri thirrje që mediet të heshtin pasi po e destabilizojnë vendin. Kjo ishte e pakuptueshme. Ka qenë vetë ajo që para disa viteve kishte bërë kundërshtime ndërsa Isa Mustafa kishte kërkuar të mos bëhej madhe nxerrja e saj nga mbledhja e LDK-së. Pastaj kemi pasur edhe ministren e drejtësisë që tregonte kush ishte medium i mirë dhe kush medium i keq. Konferenca e ministrit Vitia ka përfunduar diku ka ora 9 e gjysmë. Asnjë veprim nuk e kanë bërë për hetim ndërsa nesër me mëngjes ishin futur në zyret tona. Mu më kanë pyetur rreth burimit të informacionit, unë kam thënë që burimi mbrohet me ligj, më kanë thënë që intervistimi do të vazhdojë në stacion. Pas gjysmë ore kemi shkuar në stacion”, tha ai.

Të ngjashme