Gazetari dhe drejtori i “Insajderit”, Parim Olluri, i cili natën e së mërkurës është sulmuar fizikisht, derisa po shkonte në shtëpinë e tij, ka rrëfyer ngjarjen për RTV Dukagjini.
Olluri thotë se ishte në shoqërinë e të fejuarës së tij kur në Rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë, është sulmuar fizikisht nga persona të panjohur.
“Pak para orës 22.00, duke hyrë me të fejuarën time në banesë, jam sulmuar fizikisht nga persona të panjohur, të cilët nuk kam mundur t’i identifikoj. Ata nuk folën asgjë, prandaj nuk di kush mund të jenë sulmuesit. Policia ishte në vendin e ngjarjes dhe ka marrë informatat bazike. Po pres që nga kamerat e vendosura në lokalet e bizneseve në atë rrugë të mund të identifikohen sulmuesit”, tha Olluri për RTV Dukagjini.
Ai tha se nuk ka pasur ndonjë zënkë me dikë, prandaj nuk i di motivet e sulmit, përveç nëse ai është i motivuar nga shkrimet e tij.
“Nuk e di për cilin artikull mund të lidhet saktësisht. Për shkrimin e fundit për komandantët e UÇK-së kam pasur reagime dhe komente të shumta edhe në Facebook, por nuk e di nëse saktësisht lidhet me këtë shkrim”, tha ai.
Olluri tha se nuk ka marrë lëndime të rënda, por e keqja është se ishte në shoqëri me të fejuarën e tij dhe se ajo është shqetësuar.
Ndërkohë policia ka hapur rast hetimi dhe ka intervistuar Ollurin.
https://youtu.be/_JG2ENSCDSY