Varianti i ri i Coronavirusit, Omicron, ka prekur edhe Kosovën.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka bërë të ditur se sot, më 26 dhjetor janë konfirmuar nëntë raste me këtë variant.
Nga 22 mostra të marra të periudhës kohore 15-25 dhjetor, nëntë prej tyre janë detektuar me Omicron në laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare, Departamenti i Mikrobiologjisë të IKShPK.
“Dy raste janë të importuara nga SHBA-të, dy nga Londra, Mbretëria e Bashkuar, një rast është i importuar nga Franca, ndërsa katër raste të tjera me variantin Omicron të detektuar janë në komunën e Mitrovicës, të cilët mohojnë historinë e udhëtimit dhe se kanë pasur kontakte me dikë nga jashtë”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
“Pas paraqitjes së variantit Omicron në botë, Evropë, rajon e tashmë edhe në Kosovë, parashikohet që të rëndoj situatën epidemiologjike”, thuhet më tej në njoftim.
Nga IKSHPK, kanë deklaruar se në bazë të të dhënave të deritanishme nga bota, Omicron ka një përhapje edhe më të shpejtë se varianti Delta Plus.
Më tej, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i zbatojnë me përpikëmëri masat në fuqi dhe që të vaksinohen dhe t’i inkurajonë të tjerët për vaksinim.
“Kosova disponon me vaksina të miratuara për përdorim nga trupat më relevant botërorë. Vaksinimi mund të bëhet kurdo, pa termin, pavarësisht vendbanimit e shtetësisë”, thuhet në njoftim.