Shumë shtete në të gjithë Evropën po rivendosin masa kufizuese për të frenuar përhapjen e infeksioneve me koronavirus, ndërsa variant shumë i transmetueshëm “Omicron” ka rritur frikën.
Në Francë dhe Austri ministrat e shëndetësisë vendosën masa kufizuese për udhëtimet.
Parisi anuloi spektaklin e fishekzjarreve për natën e ndërrimit të viteve. Qeveria franceze njoftoi gjithashtu se duke filluar nga e mërkura, do të nisë vaksinimin e fëmijëve të grupmoshës 5 deri në 11 vjeç.
Kryeministri Jean Castex tha të premten se me variantin “Omicron” që përhapet si “rrufe”, qeveria propozoi që të kërkohet dëshmia e vaksinimit për ata që hyjnë në restorante, lokale dhe vende të tjera publike. Një vendim i tillë kërkon miratimin në parlament.
Danimarka mbylli teatrot, sallat e koncerteve, parqet dhe muzetë.
Irlanda vendosi që pas orës 8 në mbrëmje, lokalet dhe restorantet të mbyllen. Gjatë një fjalimi drejtuar vendit Kryeministri irlandez Micheál Martin tha se kufizimet e reja ishin të nevojshme për të mbrojtur popullatën nga virusi.
Në Holandë, autoritetet shëndetësore po diskutojnë për të vendosur edhe më shumë masa kufizuese, ndonëse aktualisht po zbatohet një vendim për një bllokim i pjesshëm.
Gjatë kësaj jave Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar shifra rekord infeksionesh. Qeveria ka marrë vendim që maskat të mbahen në ambiente të mbyllura. Po ashtu çdo qytetar duhet të tregojë provën e vaksinimit, ose një test negativ të kryer brenda pak orësh përpara se të futen në restorante, lokalet e natës, apo aktivitetete të tjera argëtuese.
Britania dhe vendet e tjera po përshpejtojnë gjithashtu ritmin vaksinimit me doza përforcuese. Qendrat tregtare, katedralet dhe stadiumet në Britani janë shndërruar në qendra të vaksinimit masiv, shkruan VOA.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), që nga fillimi i pandemisë numri rasteve me koronavirus në botë është rreth 272 milionë, ndërsa ai i vdekjeve mbi 5.3 milionë.