‘Open Balkan’, Rama e Vuçiq kërkesë BE-së për përfshirje në tregun e përbashkët

Prishtinë | 04 Nën 2021 | 21:02 | Nga Ekonomia Online

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut i kanë bërë një kërkesë Bashkimit Evropian për t’i përfshirë vendet e rajonit në politikat e saj tregtare dhe tatimore.

Liderët e tre vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë kërkuar veçanërisht fonde për bujqësinë, duke e konsideruar “një potencial të jashtëzakonshëm për t’u zgjeruar dhe për t’i ofruar prodhime me cilësi të lartë tregut të BE-së”.

Në deklaratën e përbashkët në përfundim të takimit të mbajtur në Beograd, liderët gjithashtu kanë bërë thirrje që të shikohet mundësia për t’u përfshirë në zonën Schegen dhe integrim në tregun e përbashkët të BE hap pas hapi.

Në deklaratën e përbashkët të nënshkruar në Beograd nga Rama, Vuçiq dhe zv.kryeministri i RMV shprehet zhgënjim për ngecjen e procesit të integrimit.

“Kapaciteti i diskutueshëm i BE-së për të integruar anëtarë të rinj, debatet e brendshme midis vendeve anëtare të BE-së dhe marrëdhëniet dypalëshe kanë penguar përparimin real të rajonit drejt BE-së”, thuhet në deklaratë.

Ata shprehen se Brukseli po ndryshon politikat e zgjerimin me strategji të reja ndërkohë “BE-ja po ecën përpara, ndërsa rajoni ka ngecur në dilemat e vetë BE-së”.

Liderët e rajonit nënvizojnë se “BE duhet të eksplorojë të gjitha rrugët për përparimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në periudhën që i paraprin anëtarësimit, krah angazhimeve të saj për një zgjerim me faza, siç parashikohet në metodologjinë e re”.

Në këtë prizëm, ata propozojnë përfshirjen e Ballkanit Perëndimor “në zhvillimin e politikave tregtare e tatimore të BE-së”. “Kjo mund të parandalojë ndikimin negativ në stabilizimin dhe performancën ekonomike të rajonit. Më tej, së bashku, ne mund të eksplorojmë pjesëmarrjen në Schengen dhe integrimin progresiv në tregun e përbashkët të BE-së”, thuhet në deklaratë.

Ndërsa për iniciativën e ‘Open Balkan’, në deklaratë thuhet se Dhomat e Tregtisë së tre vendeve kanë nisur përgatitjen e një Udhërrëfyes për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për lehtësimin e importeve dhe eksporteve në Ballkanin Perëndimor, nënshkruar më 29 korrik, në Shkup.

Gjithashtu është vendosur krijimi i një Këshill Ndërministror, për zbatimin e masave dhe  është kërkuar nga Forumi i Dhomave të Tregtisë të monitorojë procesin.

Të ngjashme