Operimi ia shuan karateistit Arifi ëndrrën për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”

Prishtinë | 12 Mar 2020 | 08:29 | Nga Ekonomia Online

Karateisti Orges Arifi i është nënshtruar një operimi të rëndë të gjurit gjatë të mërkurës.

Lëndimi i pësuar në një kamp stërvitor në Mal të Zi ia pamundëson pjesëmarrjen në garat e radhës të vlefshme për kualifikim në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Karateisti kosovar nuk do të paraqitet për Shqipërinë në Kampionatin Evropian që mbahet pas dy javësh e po ashtu edhe garën kualifikuese në Paris, e cila mbahet në muajin maj. Rehabilitimi pas këtij operimi, siç tregon Arifi, do të zgjasë prej 6 deri në 8 muaj.

“Lëndimin e mora në një kamp në Mal të Zi gjatë një seance stërvitore. Rehabilitimi zgjat prej 6 deri në 8 muaj. Shumë shpejt do të filloj fazën rehabilituese te fizioterapeuti Ervin Meqikukiqi, dhe shpresoj që do të jem i gatshëm 100% për Kampionatin Botëror që mbahet në muajin nëntor të këtij viti në Dubai”, tha për gazetën karateisti Arifi, që garon në kategorinë deri në 60 kilogramë.

Lojërat Olimpike “Tokio 2020” janë paraparë të mbahen nga data 24 korrik deri më 9 gusht në Japoni. Arifi thotë se ka qenë në formë të mirë dhe ka besuar se do të mund të arrinte suksese të mëdha me Shqipërinë në garat ndërkombëtare të vlefshme për pikë olimpike.

“Këtë lëndim e kam pësuar në një kohë shumë të keqe për shkak se jemi në prag të Kampionatit Evropian që mbahet pas dy javësh. Gjithashtu do ta humb garën kualifikuese për Lojërat Olimpike që mbahen në Paris në muajin maj. Me bindje të plotë e them që isha pretenduesi kryesor për Shqipërinë për të marrë rezultate pozitive si në Evropian ashtu edhe në turneun e Parisit, duke marrë parasysh formën e mirë që kam pasur këtë vit, ku edhe fitova medalje në Premier Leaguen e Dubait, e cila ishte edhe gara e nivelit më të lartë botëror”, tha Arifi…

Të ngjashme