Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka reaguar lidhur me mosshqyrtimin e nismës për bashkëpunimin ndërkomunal Prizren-Mamushë në fushën e infrastrukturës rrugore nga anëtarët e Kuvendit të Komunës, duke vlerësuar se në këtë mënyrë është humbur donacioni i MAPL-së në vlerë prej 350 mijë eurove.
Ai ka vlerësuar se ky veprim i një pjese të kuvendarëve të KK-së së Prizrenit është kundër interesave të qytetarëve të Komunës së Prizrenit, ndërkohë që bojkotin e disa prej këshilltarëve nga subjektet e koalicionit e ka cilësuar si sjellje të papranueshme. Por këshilltarët nga radhët e LDK-së, që është pjesë e koalicionit me LVV-në në Prizren, kanë theksuar se nuk e kanë penguar vendimmarrjen në KK dhe kanë shtuar se nuk bëhen patericë e askujt.
Ndërsa AAK-ja opozitare ka theksuar se vetë Haskuka është treguar i papërgjegjshëm me mospjesëmarrjen në mbledhjen e KK-së, ku parashihej shqyrtimi i propozimit të paraqitur nga ai.
Kryetari Haskuka ka pohuar se për shkak të mospjesëmarrjes së një numri të madh të këshilltarëve në seancën e jashtëzakonshme të KK-së, të mbajtur të hënën, Komuna e Prizrenit “ka humbur një donacion në vlerë prej 350.000 eurosh nga MAPL-ja”.