Të kotë dhe të pasuksesshëm po e konsiderojnë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti në SHBA, për gati 20 ditë.
Kreu i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, deklaroi të hënën se niveli dhe numri i takimeve të Kurtit në SHBA, nuk e arsyeton këtë qëndrim të gjatë. Ai tha Kurti u soll te shteti mik “duke kërkuar dëshpërimisht që të takohet me zyrtarë të lartë”.
Sipas Gashit, një dështim i tillë i kryeministrit Kurti, është dështim edhe i Kosovës, derisa kryetari i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se është dëm i madh që Kurti qëndroi për dy javë në SHBA e nuk arriti të takohet me zyrtarë të nivelit të lartë.
“Nuk është Kosova që duhet të jetë në Shtëpinë e Bardhë t’i zgjidhë problemet globale, por prezenca jonë në Shtëpinë e Bardhë, në Departament të Shtetit, tregon që SHBA-ja të ketë vëmendje dhe përkushtim të duhur për vendin tonë. Mospritja e Kurtit në nivele të tilla të larta, është një dëm i madh”, shtoi Tahiri.
Për krizën energjetike, opozita tha se është e thellë dhe problemi i tarifave të lartë, nuk është i vetmi.
“Është situatë e rëndë, presim që Bordi i ZRRE-së të shkarkohet pasi është i paaftë, e ka shkelur mirëbesimin dhe e ka vendosur në lajthitje Kuvendin. Vendimet e marra janë të paligjshme, presim që Komisioni sot të iniciojë shkarkimin e bordit”, tha Gashi.
E Tahiri i PDK-së, tha se vendimi i Gjykatës së Apelit është i qartë dhe se tarifat e shtrenjta të energjisë elektriket duhet të pezullohen.
“I bëj thirrje ZRRE-së që të mos krijojë paqartësi, të respektohet vendimi i Apelit që vendi ynë të tarifohet me tarifa të lira, përndryshe do të bëjë shkelje ashtu siç ka bërë me mosrespektimin e vendimit të Themelores”, th ai.
Tahiri tha tutje se kërkesa e tyre për tërheqjen e TRUST-it do të shqyrtohet për në seancën e javës së ardhshme, jo ashtu siç ka qenë kërkesa e tyre për këtë javë për shkak të disa vonesave në Kuvend.
Të enjten do të mbahet seancë në Kuvendin ku siç njoftoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, janë disa pika për shqyrtim.