Opozita u është rikthyer orvatjeve për t’ia shkurtuar mandatin Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Ndryshe prej tentativave të deritashme, ku Lidhja Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk e konsideronin PSD-në partnere të denjë në këtë mësymje, tani ndërmarrja synohet të jetë e përbashkët.
Por, ka dallime brenda tyre për rrugën që duhet ndjekur deri në rrëzimin e Qeverisë. PSD-ja nuk do që Qeveria të bjerë me votat e Listës Serbe, shkruan sot Koha Ditore.
Haradinaj dhe partnerët e tjerë të koalicionit i kishin pritur disa orë deputetët e Listës Serbe, që kishin shkuar të merrnin direktiva nga Vuçiqi para së të bëheshin pjesë e Qeverisë. Pas arrestimit të Marko Gjuriqit dhe ngritjes së taksës, Lista Serbe deklaroi tërheqjen nga institucionet.
Por ministrat e këtij subjekti vazhdojnë t’i ushtrojnë funksionet, e deputetët janë paraqitur në Kuvend për t’u nënshkruar dhe për t’u shpëtuar mandatet. Kjo parti i ka ofruar votat e deputetëve për të rrëzuar Qeverinë.
Qeveria Haradinaj deri tani ka funksionuar pa e pasur shumicën në Kuvend. Lista Serbe ka mbajtur një pozicion të ndërmjetëm, por as opozita e përbërë nga partitë shqiptare nuk ka arritur 61 vota, aq sa duhen për ta rrëzuar Qeverinë. Është paragrafi i parë i nenit 82 të Kushtetutës që precizon se “nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve, shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës”. Ndërkaq, sipas nenit të 66 të, “në raste të shpërndarjes së Kuvendit, (zgjedhjet mbahen v.j.) jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë pas shpërndarjes”. Nëse mocioni i mosbesimit dështon, një tjetër nuk mund të ringrihet gjatë nëntëdhjetë ditëve të ardhshme.
(Pa) fuqia e opozitës
Opozita e vetme nuk do të mundë ta shtyjë mocionin e votëbesimit, nëse nuk siguron vota nga partitë në pushtet apo të Listës Serbe. LDK-ja, LVV-ja dhe PSD-ja bashkërisht kanë 56 deputetë. Por pjesë e grupit parlamentar të LDK-së zyrtarisht është edhe Teuta Rugova, që kishte votuar pro koalicionit aktual. Ndërkaq Lista Serbe ka 10 deputetë.