Gjykata Administrative në Prishtinë me një vendim të saj ka kthyer në fuqi planet rregullative të vitit 2012 në Ferizaj.
Ky organ ka anuluar vendimin e Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, i cili gjatë vitit 2017 revidoi pezullimin e pëlqimit të Ministrisë së Planifikimit, dhe i hapi rrugë Kuvendit të Komunës së Ferizajt që ta miratojë Planin e ri Zhvillimor 2017-2025 në shtator 2017, shkruan sot Koha Ditore.
Implementimi i PZHK-së ka rezultuar me dhënie të lejeve ndërtimore pa kriter dhe në kundërshtim me planet rregullative të zonave 1,3,6,7 dhe 8, të cilat sipas ligjit, janë ende ne fuqi.
Gjykata Administrative me aktgjykimin e vet ka aprovuar provat e paditësit Imri Haliti, dhe ka gjetur se Komisioni i MMPH-së, gjatë shqyrtimit të ankesave, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Procedurën Administrative, nuk kishte dëshmuar me prova se Komuna e Ferizajt i ka plotësuar kërkesat e vendimit të Inspektoratit të Ministrisë së Planifikimit, që nga Plani Zhvillimor të largohej kategorizimi i ndërtimeve të larta dhe të ulëta, sepse kjo ishte në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ UA 11/2015, ku ceken përmbajtja dhe procedurat e miratimit të Planit të ri.