Lideri opozitar në Indi, Rahul Gandi, ka bërë thirrje për izolim mbarëkombëtar teksa shifra e përgjithshme e të infektuarve me koronavirus të martën ka shkuar në më shumë se 20 milionë.
Ky bilanc e bën Indinë vendin e dytë me më së shumti raste të infektimit në botë, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vala e dytë brutale e pandemisë ka ngritur numrin e infektimeve në Indi për 10 milionë brenda vetëm katër muajsh, teksa dhjetë milionë rastet e para ishin shënuar gjatë një periudhe kohore prej 10 muajsh.
Gjatë dy javëve të fundit, India ka raportuar vazhdimisht nga të paktën 300 mijë raste të reja ditore me COVID-19. Aktualisht, vendi ka 3.45 milionë raste aktive. Ndërkaq, ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar se bilanci i saktë mund të jetë pesë deri në dhjetëfish më i lartë sesa që raportohet.
Duke shkruar në Twitter, lideri i opozitës ka bërë të ditur se e vetmja mënyrë për ndaljen e koronavirusit është ajo e izolimit të tërësishëm të vendit. Ai ka shtuar, gjithashtu, se mosveprimi i Qeverisë është duke i vrarë të pafajshmit.