Komisioni për Legjislacion është takuar me përfaqësuesit eKëshillit Grevist të Punëtorëve të Administratës së Gjyqtarëve dhe Prokurorive lidhur me grevën e kësaj të fundit për realizimin e kërkesave të tyre prej të cilave është edhe rritja e pagës.
Asllan Rusinovci, nga Sindikata e Juridikaturës së Kosovës, tha se prej takimeve që kanë pasur me ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin Gjyqësor, ka zotime se do të realizohen kërkesat e tyre, mirëpo jo ajo për rritjen e pagës.
“Na ka vizituar ministri i drejtësisë, kryesuesi i KGJK-së, kemi paraqitur kërkesat tona, i dimë vështirësitë që na presin me këtë grevë, është bërë ndasi e madhe, është e pa arsyeshme. Në janar kemi pasë kërkesa dhe kemi kërkuar nga janari të ndërmerret diçka, kemi menduar se nuk do të ndodhë, ndodhi ajo që ndodhi. Edhe sot patëm vizitë nga drejtori i KGJK, ministri, kërkuam që të bëjmë një marrëveshje një zgjidhje, ata zotohen se ligjet do të bëhen, do të kalojnë”.
Ndërsa, Shkumbin Demaliaj, nga AAK tha se adresa për rritjen e pagave duhet të jetë qeveria. Ai kërkoi që punëtorët t’i kthehen punës, pasi, sipas tij, nëse jo këtë vit, me ndarjen e buxhetit për vitin e ardhshëm do të zgjidhen kërkesat e tyre.
“Ka qenë një vendim i qeverisë për rritje të pagave, kur rritet paga në qeveri ju kish rrit edhe juve. Adresa e juaj është qeveria. Është mirë me iu kthy punës, buxheti është i ndarë për një vit. Duhet të takoni ministrin e Financave. Nuk mundet më shumë kjo qeveri të bëjë për juve”.
Kësaj deklarate, iu kundërpërgjigj Rusinovci.
Ai tha se kanë kërkuar vetëm të mos diskriminohen dhe nuk kanë kërkuar që t’ju rritet rroga 100%as 200%.
“Nuk kemi pas rritje të pagave gjyqtarëve, na ka gëzuar fakti që është bë rritja, mirëpo na jemi pjesë e asaj familje, sistemi. Nuk kemi thënë 100% as 200% po aq sa ka mundësi. Nuk është faji ynë i klasës punëtore që nuk zgjidhen lëndët në gjykata, sa doni rriteni numrin nuk ka mu bë zgjidhje me numrin e 100 gjyqtarëve, prokurorëve”.
Sa i përket rritjes së pagave, Sami Kurteshi, tha se as qeveria nuk është dashur të rrisë pagën e kabinetit të tij pa përfunduar Ligji për Pagat.
“Rritja dhe zvogëlimi është proporcional, këto janë parimet mos me u diskriminu. Zgjidhja më e mirë kish me qenë që Qeveria mos me realizu vendimin e vet po me prit vendimin kur pagat nivelizohen. Mos bëni zgjidhje sekoriale se keni me u djeg”.
Për vazhdimin e grevës deri në realizimin e kërkesave të tyre, bëri thirrje edhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Korab Sejdiu.
“Unë ju përgëzoj juve për unitetin…. është problem serioz që nuk po mbahen dhe nuk po funksionon sistemi i drejtësisë. Ka qindra seanca gjatë ditës që anulohen kjo ndikon drejtpërdrejt në gjendjen e qytetarëve”
Mirëpo Hajdar Beqa arsyetoi vendimin e qeverisë për rritjen e pagave me mundësinë e ngritjes në greva.
“Konsideroj se në ato kërkesa ju keni të drejta. Vendimi i kryeministrit për rritjen e pagave pavarësisht a ka qenë vendim i morë ajo ju duhet me marrë si mundësi se mos me qenë ai vendim ju nuk ishin ngrit në grevë.
Sadri Llumnica nga prokuroria e Apelit ka kërkuar adresimin e problemeve të tyre nga deputetët.
“Ka ndarje për punë dhe përgjegjësi të njëjta një person paguhet më lart e një më poshtëm unë besoj që kam ardhur në vendin e duhur… ju nuk i përfaqësoni partitë politike ju i përfaqësoni popullin në momentin që keni hy këtu. Ju lutem të adresoji kërkesat tona sepse nuk po dëgjohemi”.
Në fund të takimit, përfaqësuesit e punëtorëve të gjykatave njoftuan se me fillim nga ora 14:00 do të takohen me Këshillin Gjyqësor.