Reshjet e fundit në Gjilan kanë nxitur reagimin e opozitës, e cila ka akuzuar pushtetin lokal për paaftësi në menaxhimin e gjendjes së shkaktuar nga vërshimet.
Arianit Sadiku, këshilltar komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka kritikuar komunën se nuk e ka marrë seriozisht çështjen e investimeve për rregullimin e infrastrukturës nëntokësore, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ai thotë se komuna duhet t’i kompensojë edhe banorët e lagjes së “8”, të cilëve u është shkaktuar dëm material në pronën e tyre.
“Te lagjja “Malësia” komuna ka filluar rregullimin e asaj lagje për asfaltim dhe ka shtruar zhavorr, dhe këtë e ka bërë në fushatë elektorale. Në momentin kur kanë shtruar zhavorr e kanë dëmtuar rrjetin e kanalizimit dhe ka pasur dalje të ujërave të zeza nga gypat. Komuna i ka lënë në gjysmë projektet e saj, duke i dëmtuar banorët. Komuna duhet të kompensojë dëmet, sepse uji ka depërtuar nëpër podrume të shtëpive. Është papërgjegjësi totale e komunës dhe këtyre nuk po u intereson”, ka thënë ai.
Kurse Anila Tusha-Kastrati, këshilltare komunale nga radhët e Nismës Socialdemokrate ka thënë se për vërshimet mban përgjegjësi kryetari i komunës.