Në arsyetimin e kësaj kërkese thuhet se prioritetet e politikës së jashtme, në vend se të jenë afatgjatë, po ndryshohen në baza ditore, duke krijuar kështu konfuzion dhe situata të papëlqyera para partnerëve tanë ndërkombëtarë ku stopimi i procesit të njohjeve është vetëm një nga pasojat e kësaj politike të jashtme të çakorduar, të papërgatitur dhe të dëmshme për shtetin e Kosovës, thuhet në komunikatën e grupit parlamentar të LDK-së, transmeton lajmi.net.
Po ashtu, duke qenë se Ministri i Punëve të Jashtme nuk përgjigjet as në interesimet e deputetëve për çështje të politikës së jashtme, pasi ai shumë rrallë merr pjesë në seancat e Kuvendit, si dhe në pamundësi që deputetët dhe Komisioni Parlamentar që mbulon politikën e jashtme të kryejnë detyrën e tyre si mbikëqyrës të ekzekutivit të vendit që merret me politikën e jashtme, kërkohet mbajtja e seancës së jashtëzakonshme.
Seanca është kërkuar të mbahet me datë 16 nëntor 2018, në orën 10.00.