Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje kanë dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme lidhur me dështimet e koalicionit qeverisës, të cilat kulmuan me mos liberalizim të vizave, raporton Ekonomia Online.
Sipas njoftimit, dy grupet parlamentare nga radhët e opozitës konsiderojnë se këto dështime kanë krijuar mungesë të besimit të qytetarëve në institucionet e vendit dhe kanë lëkundur besimin e partnerëve tanë ndërkombëtar në Republikën e Kosovës.
“Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më tutje. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për normalitet dhe perspektivë të qartë. Tensionet e krijuara gjatë gjithë këtij mandati qeverisës e kanë pamundësuar debatin substancial në shoqërinë e Kosovës për arsim e shëndetësi më të mirë, për shërbime publike më efikase, për punësim dhe zhvillim ekonomik. Seanca e jashtëzakonshme për të diskutuar këtë çështje është kërkuar të mbahet sot, më 04.12.2018 në ora 16.00”, thuhet në njoftim.