Propozimi i partive opozitare që të shtyhet për një ditë tjerë shqyrtimi i Platformës për Dialogun mbi Marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, nuk ka marrë përkrahjen e deputetëve të pozitës, raporton Ekonomia Online.
Deputetja e LDK-së, Doruntinë Maloku, ka kërkuar që të shtyhet shqyrtimi i Platformës së Dialogut për arsyen se sipas saj fillimisht duhet të hyjë në fuqi Ligji për Dialogun.
“Ligji për Dialogun që jep kompetencat për dialogun është mes dy leximeve dhe ende nuk i ka mbushur kushtet që të diskutohet. Unë propozoj që kjo pikë të hiqet sot nga rendi ditës. Gjithçka që derivon prej atij ekipi është antiligjore. Është e turpshme qe kryetari i kuvendit e sjell këtu një platformë jashtëligjore. Kush e ka pru këtu këtë platformë, një delegacion që ende nuk është zyrtar”, tha ajo.
Kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani, ka thënë se përmes një shkrese do ta njoftojnë kryesinë që nuk do të shqyrtohet Platforma deri në votimin e Ligjit të Dialogut.
“Ne do ta njoftojmë kryesinë me një shkresë që nuk do ta shqyrtojmë Platformën deri në momentin që të formohet zyrtarisht ekipi shtetëror dhe të bëhet Ligji për Dialogun. Udhëheqja e dialogut duhet të bëhet nga Qeveria. Kemi një platformë që lë hapur çështjen e negocimit për kufijtë e vendit”, tha ajo.
Deputeti i PDK-së, Ilmi Reqica, ka thënë se delegacioni është votuar në Kuvend dhe si i tillë ka të drejtë të sjell Platformën.
“Ekipi Shtetëror është i legjitimuar në Kuvend, ne e kemi votuar. Nëse ekziston bindja që duhet me u shty deri sa të vjen ligji atëherë ne e shtyjmë. Ju nuk jeni të interesuar që të nxjerrin dokument që të vazhdohet dialogu”, tha ai, raporton EO.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se Platforma duhet të trajtohet sot.
“Unë mendoj sot që me apo pëlqimin e komisionit Platforma duhet të trajtohet dhe të shkoj në seancë”, tha ajo.
Deputeti i VV-së, Glauk Konjufca, ka thënë se është paradoks të sillet Platforma ende pa u bërë Ligji për Dialogun.
“Unë pajtohem që kemi një paradoks. Ai e ka sjell Platformën në Kuvend para se me në fuqi ligji dhe ky është paradoks”, tha ai.